
Erion Veliaj: Unë jam rritur pa një figurë mashkullore, kështu që Edin e kam patur edhe për të më këshilluar në vitet e mia të para, sigurisht edhe për të bërë një pakt të madh të votimeve dhe sot e konsideroj një vëlla të madh që së kam pasë kurrë
Në fakt, ky vend ka njohur histori nga të çuditshme deri tek të trishtat për marrëdhëniet mes vëllezërve. Nga dashuria e palimit, krejt e natyrshme, vëllai ka vrarë vëllanë për 1 metër tokë më shumë apo më pak. Këto raste ekstreme, për të kuptuar edhe prishjen e “vëllazërisë” publike edhe pse jo të gjakut, mes Erion Veliaj dhe Edi Ramës.
Në rastet e vëllezërve të gjakut, kur mes tyre kishte raste tragjike deri në vëllavrasje, “opinioni popullor” shprehej i bindur: Nuk ka mundësi, nuk do të kenë qenë vëllezër në kuptimin e plotë e të qënësishëm, nga e njëjta nënë dhe i njëjti baba! A mund të aludohet e njëjta gjë edhe për vëllazërinë jo të gjakut mes Ramës dhe Veliajt?!
Fillimisht, mbase duhet të kthehemi në kohë më shumë se 20 vite, kur Erion Veliaj, përfaqësues e drejtues i shoqërisë civile me “Mjaft”, sulmonte edhe me topa letre higjienike një kryeministër socialist si Fatos Nano, shefi të paktën politik i Edi Ramës, si kryebashkiak i Tiranës. Duhet të kthehemi pas në kohë kur Veliaj krijoi G-99 si aleate e PS- së, për tu përfshirë më pas në këtë strukturë politike në nivelet më të larta deri në 2013. Duhet të kthehemi tek hyrja si ministër i Ramës në qeveri për të kulmuar me kandididimin si kryebashkiak i Tiranës në 2015, rikonfirmimin në 2019 dhe ririkonfirmimin në 2023. Tre mandate, kaq është maksimumi ligjor që lejohet për kandidime radhazi dhe për zgjedhjet e 9 maj 2027, Veliaj zyrtarisht nuk mund të kandidojë, me gjasë as ti prishë punë Ramës e PS- së nga aty ku është dhe me gjasë, do të jetë.
“Denoncimi” publik i Veliajt për Gogun (mik i ngushtë i kahershëm i kryebashkiakut të Tiranës), i cili sipas tij, ka përcjellë mesazhe “kërcënuese” të Ramës (mentori i tij politik, mentori politik dhe vëllai), mund të shihen edhe si bonus për kryeministrin në situatën jo të lehtë të protestave jo çdo ditë paqësore në rrugët e kryeqytetit. Në komunikimin publik, eklipsimi i një çeshtje duke evidentuar një tjetër edhe më të bujshme, është rregulli elementar dhe i suksesshëm që edhe në Shqipëri, ka funksionuar si “sahat zvicerian” këto 36 vite.
Erion Veliaj, nuk ka asnjë mundësi rikandidimi për bashkinë e Tiranës, siç e cilësuam edhe më lart. Nëse Rama, ka “pushtet” edhe mbi SPAK siç aludon Veliaj, cili do të ishte interesi i këtij të fundit të prishte “vëllazërinë” me kryeministrin?! Nëse është e vertetë ajo që aludon Veliaj, shpresat, sado të vogla që kryebashkiaku të shpëtojë me sa më pak dëme, është “pista Rama”.
Nga ana tjetër, indirekt Veliaj i ka shtuar edhe një komponent tjetër delegjitimi edhe protestës 22- ditore, e cila siç e konstaton çdo kush, eklipsoi me sukses “Revolucionin Flamingo” 4 mujor poshtë dritareve të Ramës. Minimalisht, nëse nuk ka fakte, hipotezat tashmë mund të ngrihen për përfshirje të re politike, pas asaj të PD- së. Është pikërisht ajo që i sherben kryeministrit që, protesta nuk është e studentëve por e shumë faktorëve, kryesisht politikë nga PD, Mundësia, Bashkë, Shqipëria Bëhet e madje, edhe nga të pakënaqurit në PS, të personifikuar tashmë nga Erion Veliaj.
A ka interes Erion Veliaj që, në kushtet e paraburgimit ku është, të rrëzohet Edi Rama dhe të krijohet një qeveri qoftë edhe teknike, me një kryeministër që “as nuk e vë ujin në zjarr” për të?! Pyetja është retorike, aq më shumë nëse flasim për vëllazëri. “I yti mishin ta ha por kockën ta ruan” apo “I yti nga shkon të rrëzon, nga kthehet të ngre”, janë dy shprehje të mençurisë popullore që mbase i përshtaten rastit. Me gjasë, vëllazëria Veliaj- Rama, është më e fortë se kurrë, ndërsa emra si Plarent Ndreca apo Arbër Hajdari, janë në funksion të skenarit të radhës. Që të jetë sa më i besueshëm në sytë e opinionit publik! Veliaj po i bën sherbimin e vlefshëm të radhës vëllai të tij politik Edi Rama, fatet e tyre politike janë të lidhura pazgjidhshmërisht! Mos harroni, që të dy kulmojnë tek një mentor edhe më i rëndësishëm, më i fuqishëm e i pushtetshëm, jashtë kufijve të këtij vendi!




