Tuesday / November 3 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Rritja e akcizës për duhanin rrezikon 5 mijë kultivues vendas; Në 2030 taksimi barazohet me cigaret

Share Share Icon

Rreth 5 mijë kultivues vendas të duhanit vendas rrezikojnë aktivitetin e tyre nga ndryshimet për nivelin e akcizës, të propozuara me paketën e re fiskale.

Me skedulimin e ri të akcizës për periudhën 2027-2033, nga 1 janari 2030 niveli i akcizës për duhanin e hapur të prodhuar në vend do të barazohet me nivelin e akcizës të duhanit të hapur nga importi dhe të cigareve të gatshme.

Qeveria propozon që niveli i barazimit të akcizës të prodhimit vendas me produkt të paketuar të ndodhë gradualisht.

Aktualisht për 1 kg duhan të prodhuar në vend, një prodhues vendas paguan 3,750 lekë për kg akciza. Për importuesin niveli i akcizës është në vlerën e 7,750 lekë për kg apo 106% më tepër sesa një prodhues vendas. Për cigaret e gatshme akciza është 7,750 lekë për 1,000 fije.

Me skedulimin e ri që propozohet, për nivelin e akcizës së duhanit të prodhuar në vend akciza nga 1 janari 2027 arrin 4,100 lekë për kg apo 350 lekë për kg më shumë. Rritja rreth 9%. Për duhanin e hapur të importit nga 7,750 lekë për kg propozohet niveli prej 8,100 lekë për kg me 350 lekë për kg rritje. Rritja 4.5%.

Ndërsa nga 2030 propozohet që niveli i akcizës së duhanit të hapur të prodhuar në vend të barazohet me duhanin e importit dhe të cigareve të gatshme. Për tre kategoritë, niveli i ri i propozuar do të jetë 9,150 lekë për kg për duhanin dhe 9,150 lekë për 1,000 fije për cigaret.

Eksperti për çështjet fiskale Sajmir Laçej ngre shqetësimin se rritja e akcizës dhe synimi për të barazuar nivelin e saj me akcizën e duhanit të hapur të prodhuar në vend rrezikon të prekë aktivitetin e 5 mijë kultivuesve të formalizuar të duhanit, kryesisht në zonën e Cërrikut dhe Shkodrës.

“Rreth 5 mijë kultivues duhani të formalizuar sigurojnë të ardhurat e tyre nga kjo veprimtari.

Në këtë sektor operojnë edhe prodhues të mëdhenj vendas, të cilët kanë investuar në linja përpunimi, prodhimi dhe paketimi, si dhe në sipërfaqe toke prej rreth 150 hektarësh për kultivimin e duhanit. Përveç kultivimit, këta prodhues blejnë gjethet e duhanit drejtpërdrejt nga fermerët dhe i përpunojnë ato në produkte të gatshme për treg, në investime që arrijnë deri në rreth 5 milionë euro.

Me rritjen e propozuar të akcizës, këta prodhues rrezikojnë të dalin nga tregu.

Kostoja e produktit mund të rritet deri në atë pikë sa të bëhet e krahasueshme me çmimin e një pakete cigaresh. Aktiviteti i tyre rrezikohet edhe nga rritja graduale e akcizës deri te barazimi i saj me duhanin e importit.

Në këtë mënyrë, duhani i hapur i prodhuar në vend humbet avantazhin e tij ekonomik dhe rrezikon të humbasë edhe fashën tradicionale të konsumatorëve që e zgjedhin pikërisht për shkak të çmimit më të përballueshëm”, thotë z. Laçej.

Akciza e propozuar tejkalon edhe nivelet minimale të Direktivës së BE-së

Skedulimi i ri i rritjes së nivelit të akcizës së duhanit pritet t’i sjellë të ardhura buxhetit të shtetit në vitin e parë, për 2027 llogaritet një efekt prej 4,1 mld lekë shtesë apo rreth 44 mln euro.

Në relacionin shpjegohet se ndryshimet vijnë në përputhje me përafrimin e niveleve të përcaktuara në direktivën e BE.

Eksperti fiskal Sajmir Laçej ngre shqetësimin se niveli i ri propozuar është në rritje edhe me pragjet e propozuara nga Direktiva 2011/64 të Këshillit të Europës.

Sipas tij Bashkimi Europian aplikon vetëm një akcizë për duhanin e hapur, të padiferencuar nga prodhimi vendas dhe importi. Niveli i akcizës nga 1 janari 2027 për duhanin e hapur rritet 4 euro për kg më shumë sesa për vendet e BE. Direktiva e mban të pandryshuar nivelin prej 60 euro për kg për duhanin e hapur deri në 2023.

Paketa fiskale propozon për 2028 rritja të akcizës për duhanin e prodhuar në vend rreth 23 euro për kg më tepër sesa BE. Deri në 42 euro më tepër se niveli i BE për vitin 2033 ku synohet të arrihet edhe barazimi i akcizës për duhanin e hapur vendas me të importit.

Laçej sjell në vëmendje edhe shembuj nga vendet e Bashkimit Evropian, ku janë aplikuar mekanizma të veçantë fiskalë për mbrojtjen e prodhimit vendas.

Ai përmend rastin e Portugalisë, e cila ka përfituar historikisht nga mundësia e aplikimit të normave të reduktuara të akcizës deri në 50% për kategori të caktuara të duhanit të prodhuar nga prodhues të vegjël vendas në rajonet autonome të Azoreve dhe Madeira-s, në raport me normat standarde që zbatohen në Portugalinë kontinentale.

 

OPONENCE PËR PROJEKTLIGJIN “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.61/2012, “PËR AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Nga Av. Sajmir Laçej

Gabimisht niveli i akcizës për duhanin  e hapur (fine cut) është trajtuar pothuajse me te njëjtin nivel taksimi si cigaret

Ne kundërshtim me argumentet e dhëna ne relacionin shoqërues te projektligjit, citoj:  “për përafrim të mëtejshëm me direktivën e Këshillit te Evropës 2011/64/KE

dhe krijimi i kushteve për arritjen graduale të niveleve minimale të taksimit të parashikuara nga legjislacioni i Bashkimit Evropian, duke mundësuar një tranzicion të qëndrueshëm dhe të përshtatur me kushtet ekonomike e fiskale të vendit”.

Nivelet taksimit te propozuara 1 Euro = 90 All

 

Sipas Direktivës 2011/64/EU referuar edhe ne relacionin shoqërues te projektligjit:

Neni 10 “… 2. Nga 1 janari 2014, akciza totale mbi cigaret duhet të përfaqësojë të paktën 60 % të çmimit mesatar të ponderuar të shitjes me pakicë të cigareve të hedhura në konsum. Kjo akcizë nuk duhet të jetë më e ulët se 90 EUR për 1 000 cigare,

pavarësisht çmimit mesatar të ponderuar të shitjes me pakicë. Megjithatë, Shtetet Anëtare që vendosin një akcizë prej të paktën 115 EUR për 1 000 cigare mbi bazën e çmimit mesatar të ponderuar të shitjes me pakicë nuk kanë nevojë të respektojnë  kërkesën prej 60 % të përcaktuar në nënparagrafin e parë.

Neni 14 i ”……Nga 1 janari 2020, akciza totale mbi duhanin e prerë imët për pirje, i destinuar për mbështjelljen e cigareve, duhet të përfaqësojë të paktën 50% të çmimit mesatar të ponderuar të shitjes me pakicë të duhanit të prerë imët për pirje, i destinuar për mbështjelljen e cigareve të hedhura në konsum, ose të paktën 60 euro për kilogram

Pyetje për propozuesit e propozimeve te mësipërme:

  1. Si shpjegohet barazimi i akcizës për duhanin të grire  (fine cut) me cigaret në tejkalim të Direktivës 2011/64/KE që ruan një raport  1:2 taksimi midis duhanit fine cut dhe cigare për shkak te nivelit të procesimit dhe çmimit fundor të shitjes
  2. Si ka mundësi që pretendohet të luftohet informaliteti i lartë në kultivimin dhe shitjen e duhanit të hapur brenda vendit duke rritur me 2 fish akcizën dhe duke motivuar kontrabandën e këtij  produkti nga vendet përreth që e kanë nivelin e akcizës sipas direktivës
  3. Si është menduar te mbrohet investimet ne zonën e Cërrikut dhe Shkodrës kur fermerët kane tradita shumëvjeçare kultivimi dhe konsumi të këtyre produkteve.
  4. Si ka mundësi që nuk mbrohen prodhuesit vendas kur ka shembuj në vendet e BE që për produkte të caktuara në zona të caktuara aplikohet nivel i reduktuar akczise si përjashtim nga taksimi baze

(Portugalisë i është lejuar historikisht të aplikojë një shkallë të reduktuar të akcizës deri në 50% për duhanin e prodhuar nga prodhuesit e vegjël vendas në Azores dhe Madeira, krahasuar me normat standarde që aplikohen në Portugalinë kontinentale).

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

ERE rishikon transferimin e aseteve në energji, përfshin depozitimin dhe pikat e karikimit

Operatorët e depozitimit të energjisë elektrike dhe të pikave të karikimit të automjeteve elektrike do të përfshihen shprehimisht në rregullat për ...

3 hours më parë 3 Min Lexim

Reformat e vonuara, bllokohen 228 mln euro nga Plani i Rritjes së BE

Shqipëria nuk ka arritur të përfitojë në kohë fondet e parashikuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, për shkak të vonesave në përmbushjen ...

4 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!