Vodhi makinën në një hotel, 31-vjeçarja kapet pas 30 minutash “xhiro” nëpër Sarandë
Pas shtyrjes së seancës gjyqësore në GJKKO për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, avokati i tij, Plarent Ndreca, ka folur për mediat jashtë ambienteve të Gjykatës së Posaçme.
I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, lidhur me deklaratën e Veliajt se kryeministri Edi Rama i kishte kërkuar të ndryshonte avokat, Ndreca u shpreh se do të vijojë ta përfaqësojë ligjërisht kryebashkiakun.
Ai komentoi gjithashtu takimin e Veliajt me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në ambientet e burgut të Fierit, duke theksuar se po shqyrtohet mundësia e një kallëzimi për këtë çështje.
“Unë do të vazhdoj të jem avokat i Veliajt. Kam marrë dijeni dje, kur Veliaj më ka dhënë edhe letrën që më pas është bërë publike, si dhe shënimet që ka mbajtur pas takimit me Gogun. Unë dhe një grup i huaj po punojmë për të parë nëse ka vepër penale. Nuk ka kërkesë nga Veliaj për të takuar ministrin e Drejtësisë. Ministri nuk mund të shkojë në një orar në 10 të natës. Ka të drejtë të inspektojë institucionin, por jo të takojë për një orë e gjysmë, kokë më kokë, një të pandehur që është në gjykim. Nuk mund të bëhet një takim i tillë në zyrën e drejtorit.
Ne po e vlerësojmë ligjërisht këtë çështje, sepse duhet të mirëkuptoni edhe vështirësinë tonë për të komunikuar me Veliajn. Jemi ende në fazën e vlerësimit dhe për këtë është vënë në dijeni edhe grupi i avokatëve të huaj”, u shpreh Ndreca.
I pyetur nëse situata mes Ramës dhe Veliajt përbën një luftë politike, Ndreca foli edhe për komunikimin që ka pasur me kryeministrin për rastin e Erion Veliajt. Avokati deklaroi se, në rast se interesat e tij politike përplasen me ato ligjore të klientit, do të zgjedhë të mbrojë këtë të fundit, edhe nëse kjo mund t’i kushtojë politikisht.
“Siç ia kam thënë edhe kryeministrit, nëse përplasen interesat e mia si një prej drejtuesve politikë të qarkut të Tiranës me interesat ligjore të Veliajt, unë do të zgjedh të mbroj interesat ligjore të Veliajt. Do të rreshtohem në mbrojtje të interesave të tij ligjore. Kjo mund të më kushtojë politikisht, por mendoj se është më e drejtë të mbrohen të drejtat e njeriut.
Këtë ia kam thënë kryeministrit, edhe nëse ka pasur përplasje. Kemi pasur një komunikim për këtë çështje, për Veliajn, mes meje dhe kryeministrit. Në momentin e duhur do të bëj me dije edhe detajet”, deklaroi Ndreca.
Top Channel