
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se janë marrë masat e nevojshme për të garantuar paanshmërinë e administratës publike në zgjedhjet vendore të vitit 2027. Në një prononcim për mediat, ai theksoi se këto masa duhet të jenë efektive dhe të parandalojnë ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor, në përputhje edhe me rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Celibashi u ndal edhe te reforma zgjedhore, duke theksuar se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të trajtojnë problematikat e evidentuara në proceset e mëparshme. Ndër çështjet kryesore ai përmendi rolin e shtetit në zgjedhje, sjelljen e administratës publike, kontrollet gjatë fushatës, financimin zgjedhor, si dhe procedurat e numërimit dhe shpalljes së rezultateve.
Sipas kreut të KQZ-së, një pjesë e këtyre problematikave duhej të ishte adresuar tashmë përmes reformës, por palët politike kanë ende kohë për të arritur një marrëveshje mbi ndryshimet dhe për t’ia përcjellë ato institucionit për zbatim.
“Kemi marrë masat e nevojshme për të garantuar paanshmërinë e administratës publike. Këto masa, siç rekomandohet dhe në raportet e vëzhgimit ndërkombëtar, do të duhet të jenë efektive, duke shmangur jo vetëm ndërhyrjet e paligjshme. Kjo çështje merr rëndësi dhe në kontekstin e raporteve të vëzhguesve”, deklaroi Celibashi.
Ai shtoi se reforma zgjedhore duhet të përfshijë edhe çështjet që lidhen me rolin e shtetit në proces, administratën publike, kontrollin e financimeve të fushatës dhe transparencën e procesit të numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve.
Në lidhje me ligjin e ri për ndarjen administrativo-territoriale dhe nevojën për harmonizimin e tij me Kodin Zgjedhor, Celibashi tha se KQZ-ja zbaton legjislacionin aktual dhe nuk mund të parashikojë ndryshime që mund të vendosen nga palët politike.
“Ne e kemi sot në fuqi ligjin për ndarjen e re territoriale dhe nuk mund të hamendësojmë se çfarë do të ndodhë në vendimet e palëve të interesuara. Ne nuk kemi shkak ligjor për të diskutuar për këtë çështje”, u shpreh kreu i KQZ-së.