Nga Boldnews.al
Ai është jurist, pretendon që njeh mirë ligjet dhe e ka fare të qartë se me deklaratën e tij, edhe pse si “përcjellës” i asaj që thotë se i tha, rrezikon që të dënohet me gjobë për shpifje, ose nëse i qëndron atyre që deklaron ministri i drejtësisë dhe kryeministri bëjnë mirë të rregullojnë burgjet sa e kanë ende në duar, pasi mund të jenë vetë banorë të tyre… Gjithnjë nëse nuk ka një ka një “SPAK që orientohet”…
Plarent Ndreca, avokat i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj pretendon se klienti i tij i ka treguar se mbrëmjen e së premtes, natën vonë, i ka shkuar në qeli ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe i ka përcjellë mesazhin e dhënë nga kryeministri Rama. “Jam me porosi të kryeministrit këtu. Dua të të përcjell tekstualisht atë që kryeministri më ka porositur.
–‘Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem vetëm si kryeministër. Dorëzo mandatin urgjentisht. Delego pushtetin te emrat që do të them unë. Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca. Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nisë hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg”– janë këto porositë që i janë dhënë Veliajt, sipas Ndrecës.
Ky lloj shantazhi, krejt i hapur, mafioz dhe pa asnjë nënkuptim, nuk është fare çudi që të ndodhë, sidomos në pushtetin aktual dhe në këtë anormalitet ky quhet “normalitet”, por përmendja e drejtësisë dhe mënyra sesi trajtohet ajo nga kreu i qeverisë është alarmi që bie papushim. Fjalia “do orientoj SPAK-un”- është më e rëndë se vetë mesazhi kërcënues i pretenduar se është përcjellë nga pastor Gogu.
Ministri Gogu pranoi takimin, por jo masazhin duke pretenduar se ka shkuar si mik i Veliajt dhe ministër gjithashtu për tu njohur me pretendimet që ai kishte. Më shumë se “postieri ministër pa busull”, vlen qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, i cili jo vetëm nuk ka pikën e drojës për atë që e quan krijesën e tij, “drejtësinë e re”, veçanërisht SPAK-un, por e orienton se çfarë duhet të bëjë.
Për të vendosur një pikëz fije nderi për veten dhe në raport me pubilikun, Prokuroria Speciale duhet të nisë hetimet kryesisht nisur mbi deklarata e avokatit Plarent Ndreca. Gjithashtu duhet të merret në pyetje ministri Gogu dhe kryeministri Rama si “persona në dijeni” dhe fare të lehtë e kanë që t’i bujtin Veliajt në qeli dhe pyesin për atë që ka ndodhur.
Dikush prej tyre duhet t’i japë pëgjigje çështjes pasi nuk jemi para deklaratave të të “papërgjegjshmëve politikanë”, por vepra penale për shantazh ose cënim të rendit kushtetues. Kryeministri Rama dhe ministri Gogu nëse vërtetohen pretendimet e Veliajt do të duhet të pëgjigjen penalisht për shantazh, kërcënim dhe shpërdorim detyre. Në bashkim të dënimeve ata rrezikojnë të dënohen nga 3-7 vite burgim, pasi përfshihen në nenet kur një zyrtar public, ose person me funksione shtetërore përdor autoritetin dhe pozicionin e tij për të shantazhuar, apo detyruar dikë të bëjë diçka kundër vullnetit të tij.
Në të kundërt, Veliajn e kanë që e kanë duhet të shtojnë edhe një akuzë tjetër përveç atëre që ka. Sipas “mesazhit Rama”, Veliaj duhet të heshtë ose ndryshe do të orientojë SPAK-un për ta hetuar për “cënim të rendit kushtetues”.
Përcjellësi i këtyre mesazheve tashmë i atribuuohet Toni Gogut, një mikë i kahershëm i Veliajt, aq sa u bë “ndërmjetës me Perëndinë” në martesën e tij, por pastori është edhe jurist në profesion duke mbajtuar në duar librin e shenjtë, por edhe Kodin Penal… Dy “vepra” që duket se i ka pasur si suvenir, pa i kuptuar në thelb.














