
Fischer e ka cilësuar Zogun si arkitektin e shtetit modern shqiptar
Këtë vit kam drejtuar dy sondazhe rigoroze në terren (të financuara nga fondacione gjermane) – njëri në gjithë vendin dhe tjetri në Tiranën urbane. Në të dyja, pyetjes “Cilin vlerësoni më shumë nga gjashtë liderët kryesorë të shtetit shqiptar të shekullit të fundit?”, rreth 2/10 e të anketuarve iu përgjigjën “Ahmet Zogun”.
Asnjë nga të anketuarit nuk kishte lindur para largimit të Ahmet Zogu nga Shqipëria, por sidoqoftë, rreth 2/10 e vlerësonin pikërisht atë më shumë se sa pesë pasardhësit e tij më të rëndësishëm. Meqë shumica dërrmuese e këtyre 2/10-ve u vetëdeklaruan ideologjikisht si të djathtë, mund të hamendësohet se jo pak syresh e zgjodhën Zogun si opsionin e preferuar në skenën historike thjesht për të mos zgjedhur opsionin e ish-komunistit Berisha (që pretendon se është i djathtë).
Ndërkaq, nuk janë të paktë shqiptarët që kanë njohuri rreth dy dekadave kur Ahmet Zogu mbizotëroi skenën politike të Shqipërisë.
Le ta fillojmë shtjellimin e kësaj teze me studimin e botuar në shqip të historianit amerikan Bernd J. Fischer, i cili është ndër studiuesit më të njohur ndërkombëtarë të historisë së afërme shqiptare. Ai ka kyer kërkime të thella shkencore mbi periudhën mes dy luftërave botërore, dhe rreth Ahmet Zogut në veçanti.
Vepra e tij “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” është një nga studimet më të thelluara mbi strukturën politike, përpjekjet për shtetformim dhe për sfidat e Ahmet Zogut, bazuar në dokumente arkivore. Në studimet e tij, Fischer ka evidentuar se rruga e Zogut drejt majave të pushtetit u përball me sfida të mëdha, duke numëruar rreth 600 hasmëri dhe të paktën katër tentativa direkte për ta vrarë.
Fischer argumenton se Zogu ishte një nacionalist që u bëri rezistencë diplomatike manovrave dhe ultimatumeve të Musolinit deri më 7 prill 1939. Ai e cilëson Zogun si arkitektin kryesor që ngriti themelet e një administrate dhe të një shteti modern shqiptar, duke e filluar rrugëtimin e tij qeverisës nga një gjendje tejet të vështirë të vendit.
Nuk mund të dihet se sa shqiptarë e kanë lexuar veprën e Fischer-it, por ndoshta janë të shumtë ata që kanë dëgjuar për të prej lexuesve të saj, ndërkohë që të tjerë mund të kenë lexuar nga burime të tjera për kohën e Zogut, apo mund të kenë dëgjuar prej prindërve dhe gjyshërve rreth asaj kohe.
Si lexues kurioz i historisë (pa qenë ekspert historie), e kam lexuar me vemendje librin e sipërcituar të Fischerit, si edhe shumë libra të tjerë mbi historinë e shqiptarëve (botuar brenda e jashtë vendit). Më poshtë po jap arsyet se përse kam të njëjtin mendim me 2/10 e banorëve të rritur të vendit (që Ahmet Zogu ka qenë lideri më gjurmëlënës shqiptar i shekullit të fundit, pavarësisht dritë-hijeve të tij).
Më 1920, Zogu 24-vjeçar me rreth 3000 matjanë siguroi mbrojtjen e qevirisë së re të Kongresit të Lushnjes, si edhe udhëhoqi Luftën e Vlorës për dëbimin e italianëve prej andej.
Në 2500 vjetët para atij viti, vetëm Gjergj Kastriot Skëndërbeu ishte regjistruar si një lider me peshë vërtet domethënëse në historinë e trojeve shqiptare. Si ushtaraku i parë që ka aplikuar me efikasitet luftën guerrile, Skënderbeu është vlerësuar nga historianët si një halë në sy për perandorinë më të fuqishme të kohës së vet.
Sidoqoftë, ai nuk krijoi dot një shtet dhe administratë të mirëfilltë në trojet shqiptare. Edhe Besëlidhja e Lezhës që ai themeloi ishte kryesisht një aleancë ushtarake, me nuanca të lehta shtetërore-administrative. Për më tepër, asaj iu larguan shpejt prijës të fuqishëqm si Lek Dukagjini, Gjergj Arianiti, Pjetër Spani dhe Gjergj Dushmani.
Domethënës është fakti që i vetmi dokument shqip i mbetur nga koha e Skënderbeut është formula e shkurtër e pagëzimit nga Pal Engjëlli (Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit).
Para kohës së Skënderbeut, historianët e antikitetit kanë përmendur mbretërit ilirë Bardhyl, Agron e Teutë, por më tepër si prijës fisesh, se sa si qeverisës me struktura të mirfillta shtetërore. Nga qeverisja e tyre nuk ka mbetur asnjë dokument i shkruar – vetëm aty këtu ndonjë mbishkrim në pllaka varesh.
Pas kohës së Skënderbeut, emri i Ali Pashë Tepelenës është regjistruar qartazi në histori. Por ai përmendet si një pasha rebel që mobilizoi shqiptarët dhe grekët e pashallëkut të tij kundër Portës së Lartë (pa arritur dot të krijonte një shtet të mirëfilltë).
Periudha e trazuar 1912-1920 regjistroi emra që qeverisën shumë pak për ta formësuar njëfarësoj shtetin e sapolindur shqiptar – 14 muaj muaj Ismail Qemali, 6 muaj Princ Vidi, 15 muaj Esat Pashë Toptani, dhe 13 muaj Turhan Pashë Përmeti.
Dhe vijmë te janari i vitit 1920.
Pasi Presidenti Uillson e ndaloi copëtimin e shtetit shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit, burrat më patriotë të vendit u mblodhën në Kongresin e Lushnjes, për të shpallur qeverinë e re të Shqipërisë brenda kufijve të njohur nga Konferenca e Londrës së 1913-ës. Por ata kishin vetëm fjalë – pushkët i kishte 24-vjeçari Zogu me 3000 pasuesit e tij matjanë. Dhe ai, si Ministër i Brendshëm i qeverisë së re, siguroi instalimin e saj në kryeqytetin provizor Tiranë, dhe pastaj udhëhoqi luftën për dëbimin e italianëve prej Vlorës.
Nga ajo kohë e deri kur u largua nga vendi, Ahmet Zogu ishte njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, pavarësisht postit të tij zyrtar (Ministër i Brendshëm, Kryeministër, President i Republikës, Mbret).
Në fillimet e pushtetit, Zogu u mundua ta lidhte strategjiksht Shipërinë me Britaninë e Madhe (për të shmangur ndikimin e fqinjëve tanë tokësorë), por fati e deshi që nafta shqiptare të ishte me përmbajtje të lartë squfuri, duke e ulur kështu interesin britanik për të investuar në vendin tonë. Më pas u mundua, por pa sukses, të merrte financime nga Lidhja e Kombeve (gjithnjë për të shmangur ndikimin e fqinjëve tanë tokësorë). Dhe si alternativë të fundit për ta shmangur ndikimin e fqinjëve tanë tokësorë, ai pranoi financime nga Italia fashiste, që eventualisht e përzuri nga pushteti…
Duke i përmbledhur në një paragraf dy dekadat e pushtetit të Zogut, mund të thuhet se ai gjeti një vend në anarki të plotë, me ekonomi e administratë fare të prapambetur orientale, dhe me popullësi 99% analfabete. Por kur ai u largua nga pushteti, shteti dhe administrata ishin ndërtuar sipas modeleve franceze dhe italiane, sistemi arsimor ishte shtrirë në qytete dhe shumë fshatra, infrastruktura dhe industria e lehtë kishin hedhur hapat e para të zhvillimit, me pasaportën shqiptare mund të udhëtohej lirshëm në Europë, dhe mbi të gjitha, orientimi i përgjithshëm i shoqërisë ishte pro perëndimor.
Duke filluar nga Fan Noli, kundërshtari më i fortë politik i Zogut, dhe duke vazhduar deri në ditët e sotme, të panumërt kanë qenë kritikët e ashpër të tij. Por historia botërore nuk njeh ndonjë qeverisës që s’ka patur kundërshtarë e kritikë të ashpër – “Sundimtari Ideal” i Platonit ka mbetur thjesht një ëndërr e tij e parealizuar në 2500 vjet!
Në kontekstin historik, një qeverisës vlerësohet nga trajektorja që përshkruan vendi gjatë qeverisjes së tij. Në rastin e Zogut, mijra shqiptarë (përfshirë edhe mua) mendojnë aktualisht se, gjatë qeverisjes së tij, Shqipëria ka regjistruar trajektoren më të madhe ngjitëse – nga niveli zero, në një vend me administratë dhe qeverisje funksionale.
SHËNIM: Teksa rreth 2/10 e shqiptarëve të këtushëm vlerësojnë më shumë Ahmet Zogun, rreth 2/10 vlerësojnë më shumë “të djathtin” Berisha. Në krahun tjetër ideologjik, Ramën e vlerësojnë më shumë rreth 3/10 e shqiptarëve të këtushëm, Nanon rreth 2/10, dhe rreth 1/10 vlerësojnë më shumë Enver Hoxhën e Ramiz Alinë.
