Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar si “show politik” veprimin e Lëvizjes Vetëvendosje për dërgimin në Prokurori të kontratës për ndriçimin publik në kryeqytet.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka kritikuar përfaqësuesit e Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal, duke thënë se ata nuk kanë paraqitur propozime konkrete për përmirësimin e çështjes së ndriçimit publik.
Ai ka theksuar se në vend të angazhimit për të sjellë propozime në të mirë të qytetarëve, përfaqësuesit e kësaj partie, sipas tij, janë marrë me rolin e hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve.
“Vetëvendosja e Prishtinës i paska kapë do letra e paskan shku edhe sot me bo një SHOW POLITIK para Prokurorisë. Votuesit tuaj ish dashtë me e pyet veten, a e keni pru najherë në Asamblenë e Kryeqytetit ndonjë propozim në të mirë të qytetarëve të Prishtinës? Apo keni hi n’asamble me e luajt hetuesin, prokurorin, gjyqtarin, policin, zëdhënësin? Punoni, more, najsen”, ka shkruar Rama.