Një krim i rëndë brenda familjes ka tronditur qytetin e Chiari-t, në provincën e Brescias në Itali, ku një grua shqiptare ka humbur jetën pasi dyshohet se është sulmuar me thikë nga djali i saj 21-vjeçar.

Viktima është identifikuar si Meleqe Lusha, 39 vjeçe, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është djali i saj, Eduart Xhani. Sipas raportimeve të mediave italiane, i riu ka lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në banesën ku jetonte familja, në rrugën Tagliata. Dyshohet se 21-vjeçari ka goditur me thikë nënën e tij, duke i shkaktuar plagë fatale.

Pas krimit, i riu është larguar nga banesa dhe është drejtuar drejt qytetit të Cremonës. Atje është paraqitur vullnetarisht në ambientet e karabinierëve, ku ka rrëfyer atë që kishte ndodhur.

Menjëherë pas deklarimeve të tij, forcat e rendit janë nisur drejt adresës së familjes në Chiari. Gjatë kontrollit të banesës, karabinierët kanë gjetur trupin e pajetë të 39-vjeçares.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe ekspertët e hetimeve shkencore të Komandës Provinciale të Karabinierëve të Brescias, të cilët kanë kryer këqyrjen e ambientit dhe mbledhjen e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Autoritetet italiane po përpiqen të rindërtojnë momentet që i paraprinë krimit, si dhe të përcaktojnë motivet që mund ta kenë shtyrë të riun drejt këtij akti ekstrem.

Ende nuk dihet nëse mes nënës dhe djalit ka pasur ndonjë konflikt përpara ngjarjes apo nëse ekzistonin probleme të mëparshme familjare.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë publike informacione të tjera lidhur me rrethanat dhe motivin e dyshuar të vrasjes.