Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kundërshtuar paketën fiskale të propozuar për vitin 2027, duke e cilësuar një “thikë pas shpine” për shqiptarët. Sipas saj, ndryshimet do të rrisin kostot e bizneseve, do të godasin profesionistët e lirë dhe do të sjellin rritje të mëtejshme të çmimeve, duke rënduar varfërinë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Xhixho pretendon se nga paketa e re fiskale qeveria synon të mbledhë 14 miliardë lekë më shumë, të cilat, sipas saj, do të dalin nga xhepat e qytetarëve. Deputetja e PL-së kritikon gjithashtu qeverinë për mosrealizimin e investimeve të planifikuara, ndërsa thekson se, ndryshe nga Mali i Zi që rrit pagat dhe pensionet, Shqipëria po rrit taksat.

Deklarata e plotë

Paketa e re fiskale është një thikë pas shpine për qindra mijëra shqiptarë. Ajo rëndon edhe më shumë varfërinë, shton dëshpërimin dhe vret shpresën e mijëra familjeve. 14 miliardë lekë më shumë do të mblidhen në arkën e qeverisë, para që do të dalin nga xhepat tanë!

Qeveria rrit taksat, por ndërkohë shifrat tregojnë se nuk arrin të përdorë as paratë që ka në dispozicion. Të ardhurat e vitit 2026 janë rreth 221 milionë euro mbi planin fillestar. Sipas KLSH-së, janë konstatuar 135 milionë euro dëm ekonomik dhe efekte financiare negative për vitin 2025.

Ndërsa Bashkia e Tiranës nuk realizoi 52% të investimeve të planifikuara për vitin 2025. Pra, para ka, por kjo qeveri është e korruptuar dhe e paaftë për të prodhuar rritje të cilësisë së jetës për qytetarët.

Ndërkohë, çfarë parashikon paketa e re?

Rritje të TVSH-së për mallra dhe shërbime;rritje të tatimit mbi fitimin; rritje të tatimit mbi dividendin; përfshirjen e më shumë bizneseve në skemën e TVSH-së, duke ulur pragun e xhiros vjetore.

Rrjedhimisht, rriten kostot e bizneseve, goditen profesionistët e lirë dhe stimulohet rritja e mëtejshme e çmimeve për qytetarët. E gjithë kjo në një vend ku pagat janë ndër më të ulëtat në rajon dhe gjysma e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqime!

A e dini sa taksa mbledh Mali i Zi? Plot 40.3% të të ardhurave në raport me PBB-në, ndërsa Shqipëria 28.3%. Pra, me pak fjalë, 12 pikë përqindjeje më shumë se Shqipëria në raport me PBB-në. Dhe kjo përkthehet në rritje pagash dhe pensionesh.

Pra, Mali i Zi rrit pagat dhe pensionet, Shqipëria rrit taksat! Problemi madhor i shqiptarëve është vjedhja nga Edi Rama e të paktën 4 miliardë eurove në vit.

Kjo qeveri e korruptuar ka vetëm një zgjidhje: të largohet sa më parë. Ndaj, duhet të jemi të gjithë bashkë për të shporrur këtë bandë hajdutësh, që e kanë trajtuar vendin si plaçkë dhe pronë private për interesat e tyre.