Nju Jorku regjistron pas 30 vitesh vdekjen e parë nga fruthi, humb jetën një fëmijë

Autoritetet lokale njoftuan të hënën se një fëmijë në shtetin e Nju Jorkut ka vdekur nga fruthi. Shteti nuk kishte regjistruar asnjë viktimë nga kjo sëmundje gjatë 30 viteve të fundit.

Fëmija vinte nga Qarku Lewis, që ndodhet pranë kufirit me Kanadanë. Humbja e jetës së tij ka risjellë shqetësimet mbi përhapjen e fruthit në Shtetet e Bashkuara.

Të lidhura

None found

Duke shprehur keqardhjen për vdekjen e fëmijës, guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, e përshkroi ngjarjen si një kujtesë tronditëse për rrezikun e sëmundjeve që mund të parandalohen me vaksinim.

Nga fillimi i këtij viti, numri i rasteve të konfirmuara me fruth në SHBA ka arritur në 4,834. Shteti i Nju Jorkut shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në muajin tetor, pas shtimit të rasteve.

Programet e vaksinimit bënë të mundur që autoritetet amerikane ta shpallnin fruthin të eliminuar në vend në vitin 2000. Por gjatë viteve të fundit, ulja e niveleve të vaksinimit dhe mosbesimi në rritje ndaj institucioneve shëndetësore kanë nxitur rishfaqjen e sëmundjes.

Krahas shqetësimeve për rikthimin e fruthit, janë hapur debate edhe rreth politikave shëndetësore të administratës së Presidentit Donald Trump, si dhe qëndrimeve për vaksinimin të Sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.

Temperatura e lartë, vështirësitë në frymëmarrje dhe skuqja e lëkurës janë shenja të fruthit, një sëmundje me ngjitshmëri shumë të lartë. Format më të rënda të tij mund të shoqërohen me komplikacione serioze, përfshirë pneumoninë dhe inflamacionin e trurit, që mund të lënë pasoja afatgjata ose të shkaktojnë vdekjen.

Në Shtetet e Bashkuara, qindra fëmijë vdisnin çdo vit nga fruthi përpara se të zbulohej vaksina në fillim të viteve 1960. Në shkallë botërore, kjo sëmundje vazhdon të marrë dhjetëra mijëra jetë.


Shtuar më 3.11.2026 09:20