Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kryetarja e Kuvendit: Prokuroria pa vonesa t’i hetojë zyrtarët e përfshirë në rastin e Zekajt

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Shqyrtimi i dy projektligjeve e i raportit të Auditimit për Buxhetin e vitit të shkuar, pritet të diskutohen të enjten, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Vendimi për të është marrë në mbledhjen e kryesisë, të mbajtur të hënën. Pas takimit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte një kërkesë për Prokurorinë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale, që të nisë hetimet ndaj zyrtarëve të përfshirë në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Pas mbledhjes së kryesisë, Haxhiu ka thënë se rasti i Zekajt duhet të shërbejë që në të ardhmen të mos ketë zyrtarë që nuk e kryejnë punën e tyre.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Prokuroria pa vonesa të fillojë hetimet penale në raport me të gjithë zyrtarët, të cilët ose e kanë kryer punën në mënyrë të gabuar ose nuk e kanë vepruar fare në raport me përgjegjësitë që i kanë. Për shkak se rasti i Arlinda Zekajt dëshmon që t`i mundesh ligje, strategji, por në fakt janë zyrtarët në një institucion që varet pra, është në diskrecionin e tyre, nëse të njëjtat i zbatojnë apo jo”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se është e shqetësuar pse Këshilli Gjyqësor i Kosovës e Komuna e Pejës nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë ndaj zyrtarëve të tyre, ashtu siç është vepruar me prokurorët dhe policët.

Kryetarja ka bërë të ditur se seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet të enjten, nga ora 12:00.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të Aleancës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se javën tjetër, në Kuvend, do të diskutohet për energjinë.

Edhe Haxhiu kërkon hetime ndaj zyrtarëve të përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt Arbëri Haxhiu kërkon hetime ndaj zyrtarëve të përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt

“Sot për sot Kosova është duke blerë çmimin më të lartë të energjisë në nivel të Ballkanit Perëndimor. Sot për sot, blloku më i rëndësishëm i B1 është jashtë funksionit, për çka është folur sot. Ndërsa si rrjedhojë, sot Kosova në shumicën e qyteteve gjendet në terr. Diskutimi për energjinë realisht është diskutimi për jetën, trajtimi i kësaj teme me prioritet është forcim i pozicionit jo vetëm energjetik, por edhe strategjik... andaj e shohim si pikë jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha Tahiri.

Në seancën e së enjtes, mes tjerash, pritet të shqyrtohen projektligji për regjistrimin e bujqësisë, ai për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, e raporti vjetor i Auditimit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2025.