Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

4.27 miliardë buxhet për 2027-tën, një e katërta për paga

Mbledhja e Qeverisë

Foto: Driton Paçarada

Me 4.27 miliardë euro buxhet për vitin e ardhshëm, Qeveria ka paraparë pagën e 13-të për punonjësit publikë, rritjen e koeficientit të pagave nga korriku dhe dyfishimin e shtesave për fëmijë deri në vitin 2030. Projektbuxheti përfshin edhe investime në infrastrukturë, ndonëse këtë vit nga janari deri në shtator janë realizuar vetëm 37 për qind e investimeve kapitale të planifikuara

Qeveria ka proceduar të hënën në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2027, për të cilin zyrtarët ekzekutivë kanë thënë se është dorëzuar brenda afatit ligjor.

Në mbledhjen e mbajtur të hënën, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se buxheti për vitin e ardhshëm kap vlerën prej 4.27 miliardë eurosh. Sipas tij, në të janë përfshirë projekte infrastrukturore, rritje të pagave dhe skemave sociale. 

Një e katërta e buxhetit, sipas Kurtit, do të shpenzohet për pagat e punonjësve publikë, pasi parashihet rritje e koeficientit për këtë kategori. 

“Njësoj sikurse sivjet, buxheti 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka thënë Kurti.

Kurti ka paralajmëruar gjithashtu se deri në vitin 2030 do të dyfishohen shtesat për fëmijë e ato fillojnë të rriten për 25 për qind nga janari i vitit 2027.

Edhe Projektbuxheti për vitin 2027, 4.27 miliardë euro Arbëri Projektbuxheti për vitin 2027, 4.27 miliardë euro

Në kuadër të këtij buxheti është përfshirë edhe rritja e mbështetjes financiare për avokatët e katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët janë dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale.

“Me këtë buxhet është paraparë edhe rritja e mbështetjes për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sipas kërkesës së parashtruar nga ekipet mbrojtëse”, ka thënë ai.

E ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencën pas mbledhjes së Qeverisë, ka bërë të ditur se në projektbuxhet janë përfshirë ndërtimi i digave, lidhja e autostradave “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”, si dhe ndërtimi i unazës së jashtme të Prishtinës.

Këto projekte janë pjesë e investimeve kapitale. Për këtë kategori, Murati ka thënë se gjatë 9 muajve të këtij viti janë realizuar vetëm 37 për qind e investimeve të planifikuara.

Për këtë ngecje, ministri ka fajësuar procedurat në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe nisjen e 2026-tës pa buxhet të miratuar. 

“Ankesat dhe vonesat zakonisht shkaktohen për shkak të OSHP-së, shumica e projekteve që iniciohen vonohen aty derisa të gjendet zgjidhja apo të ofrohet vendimi përfundimtar nga OSHP-ja. Por këtë vit kemi pasur një situatë specifike, sepse siç e dini dy muajt e parë të vitit vendi ka operuar pa buxhet pra është dashur të operojmë me kushte të jashtëzakonshme me 1/12 e buxhetit paraprak”, është shprehur ai.

Edhe Opozita kritikon qeverinë për shkelje të afatit ligjor lidhur me Buxhetin 2027 Arbëri Opozita kritikon qeverinë për shkelje të afatit ligjor lidhur me Buxhetin 2027

Projektbuxheti është proceduar pas afatit të përcaktuar me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, sipas të cilit data e fundit për dorëzimin e tij në Kuvend ishte 31 tetori. Por Murati ka thënë se Qeveria e ka përmbushur afatin, me arsyetimin se 31 tetori këtë vit ka qenë ditë e shtunë dhe jo ditë pune.

Tashmë i mbetet Kuvendit që deri në fund të vitit ta shqyrtojë dhe miratojë buxhetin në dy leximet.