
Rreth 15 vjet pas vdekjes së Solomon R. Guggenheim, fondacioni që administronte koleksionin e tij të gjerë të artit arriti në përfundimin se zotëronte më shumë piktura të Wassily Kandinskit sesa dinte se çfarë të bënte me to.
Biznesmeni i ndjerë amerikan kishte qenë një nga mbështetësit më të shquar dhe më të përkushtuar të piktorit rus. Por në vitin 1964, pavarësisht se administronte muzeun me emrin e tij në Manhattan, fondacioni i Guggenheim vendosi të nxirrte në shitje 50 nga 170 veprat e Kandinskit, të njohura për interpretimet e tyre abstrakte, gjeometrike dhe karakteristike shumëngjyrëshe, për shkak të “mungesës së hapësirës”.
Duke njoftuar vendimin, nipi i tij, Harry F. Guggenheim, tha se anëtarët e bordit të fondacionit kishin frikë se, në të kundërt, veprat do të mbeteshin të fshehura “në kasafortat tona”, sipas raportimeve të kohës. “Kemi arritur në përfundimin se kjo nuk duhet të jetë fati i këtyre pikturave”, shtoi ai.
Ishte një qëndrim fisnik, por ndoshta, në retrospektivë, një vendim me kosto të lartë, shkruan CNN.
Në një ankand të zhvilluar në Londër më vonë gjatë atij viti, 50 pikturat u shitën për një shumë të përbashkët prej 536.580 paundësh, ekuivalente atëherë me rreth 1,5 milionë dollarë. Shumë prej tyre janë rishfaqur që atëherë në treg, me çmime ndjeshëm më të larta.

Piktori rus Wassily Kandinsky konsiderohet si një figurë madhore në historinë e artit abstrakt
Tani, njëra prej veprave — “Betonte Ecken”, për të cilën në vitin 1964 një tregtar arti nga Nju Jorku fitoi ankandin me një ofertë prej vetëm 22.000 paundësh (rreth 62.000 dollarë në atë kohë, ose 540.000 dollarë me vlerën e sotme) — po rikthehet në ankand me një vlerësim prej 60 deri në 80 milionë dollarësh.
“Guggenheim kishte një pasuri të jashtëzakonshme veprash arti në atë kohë”, tha Max Carter, kryetari global i departamentit të artit të shekujve XX dhe XXI në Christie’s, shtëpinë e ankandeve që organizon shitjen e këtij muaji. Fondacioni “shiti kryevepra të jashtëzakonshme, gjë që sot do të ishte e paimagjinueshme”, shtoi ai në një bisedë telefonike nga Nju Jorku.
“Betonte Ecken” nuk është thjesht në prag të thyerjes së rekordit të ankandit për një vepër të Kandinskit — ajo me siguri do ta bëjë këtë. Christie’s bëri të ditur se një garantues ka konfirmuar një ofertë që tejkalon rekordin prej 37,2 milionë paundësh (44,55 milionë dollarë), të paguara në vitin 2023 për pikturën e tij “Murnau mit Kirche II”.
Rritja dramatike e vlerës së veprave të Kandinskit dëshmon statusin që ai gëzon sot në tregun e artit. Megjithëse reputacioni i tij ishte konsoliduar tashmë në kohën e shitjes së Guggenheim-it — kur ai kishte dy dekada që kishte vdekur — “Betonte Ecken” ishte në atë kohë “ende shumë përpara kohës së vet”, tha Carter. “Tani është kthyer në një vepër kanonike”, shtoi ai, duke e cilësuar pikturën si “tipike” për Kandinskin.

Në një ankand të vitit 1964, Fondacioni Solomon R. Guggenheim nxori në shitje 50 piktura të Kandinsky-t. Në dekadat e fundit, shumë prej tyre kanë arritur shuma astronomike
“Nëse do të dilnit në rrugë dhe do t’u kërkonit dhjetë personave të parë që kanë dëgjuar për Kandinskin të mbyllnin sytë dhe të përshkruanin se si dukej një prej kryeveprave të tij, kjo do të ishte pikërisht ajo”.
Ngjyra, kompleksiteti dhe kompozimi
Një figurë e rëndësishme në lindjen e abstraksionizmit gjatë viteve 1910, Kandinsky e pikturoi “Betonte Ecken” mes dhjetorit 1922 dhe janarit 1923. Kjo është një periudhë kyçe në karrierën e artistit dhe në zhvillimin e përgjithshëm të lëvizjes abstrakte, prej së cilës kanë dalë disa prej veprave të tij më të kërkuara.
Pas një qëndrimi shtatëvjeçar në Rusinë e tij të lindjes, Kandinsky sapo ishte kthyer në Gjermani, ku kishte jetuar përpara shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Arti i tij ishte përplasur gjithnjë e më shumë me ideologjinë antiborgjeze të regjimit të ri sovjetik — ndërsa më vonë do të shpallej gjithashtu artist i degjeneruar nga nazistët. Për këtë arsye, ai pranoi një ftesë për të dhënë mësim në teorinë e artit në shkollën e famshme Bauhaus në Weimar.
E pikturuar pak pas mbërritjes së tij, “Betonte Ecken” përfaqëson qasjen tejet teorike të Kandinskit ndaj formave dhe gjeometrisë. Kompleksiteti, ngjyrat dhe kompozimi i saj “përmbledhin gjithçka që kishte ardhur përpara saj”, tha Carter. “Për disa koleksionistë, kjo është periudha e tij më e madhe dhe më e rëndësishme”, shtoi ai.
Piktura pasqyron gjithashtu rolin ndikues të muzikës në krijimtarinë e Kandinskit. Ai vendosi të bëhej artist pasi ndoqi një koncert të Wagnerit në Teatrin Bolshoi të Moskës në vitin 1896. (“I pashë të gjitha ngjyrat në mendjen time; ato qëndronin para syve të mi”, shkroi më vonë ai për atë përvojë. “Vija të egra, pothuajse të çmendura, vizatoheshin para meje”).
Përveç vijave të zeza që ngjajnë me ato të një partiture muzikore, “Betonte Ecken” është edhe “simfonike” në një kuptim më pak të drejtpërdrejtë, tha Carter.
“Kur qëndroni përballë kësaj pikture, marrëdhënia mes të gjitha këtyre formave dhe elementeve të ndryshme — të cilat, në duart e një artisti më pak të talentuar, do të dukeshin kaotike, të ngatërruara dhe ndoshta të pakuptueshme — është jashtëzakonisht harmonike”, tha ai, duke shtuar: “Në të vërtetë, gjithçka ka të bëjë me marrëdhëniet e formave me njëra-tjetrën”.

“Betonte Ecken” do të dalë në shitje më 17 nëntor në shtëpinë e ankandeve Christie’s, e cila parashikon se vlera e tij do të arrijë nga 60 deri në 80 milionë dollarë. Me mirësjellje të Christie’s
E pikturuar në një kanavacë katrore, me lartësi dhe gjerësi më shumë se 1,29 metra, “Betonte Ecken” (që në gjermanisht do të thotë “Këndet e theksuara”) është jashtëzakonisht e madhe për një vepër të Kandinskit. Sipas Carter, vlera e saj është ndikuar edhe nga rrallësia relative e veprave të artistit.
Krahasuar me bashkëkohësit e tij, Kandinsky nuk ishte veçanërisht produktiv. Megjithëse nuk ekziston një shifër e saktë për numrin e veprave të tij, një katalog i plotë shkencor i krijimtarisë së artistit, i njohur si catalogue raisonné, rendit më pak se 1.200 piktura në vaj. (Në të kundërt, një prej katalogëve të plotë të Pablo Picasso-s përmban më shumë se 16.000 piktura dhe vizatime). Shumë prej veprave të Kandinskit ndodhen në institucione që sot nuk do ta merrnin kurrë në konsideratë shitjen e tyre.
Mes këtyre institucioneve është ende edhe Guggenheim, i cili që atëherë ka blerë vepra të tjera të Kandinskit dhe aktualisht zotëron më shumë se 150 të tilla. Muzeu mund të ketë humbur miliona dollarë në kryevepra nga bilanci i koleksionit të tij, por, në njëfarë mënyre, arriti të ruajë shembujt e tij më ikonë, përfshirë veprën e famshme “Komposition VIII”.
Siç tha nipi i koleksionistit të madh përpara shitjes së vitit 1964, fondacioni nxori në ankand vetëm pikturat që mund të “lëshoheshin në mënyrë të arsyeshme pa cenuar statusin e koleksionit të përhershëm të muzeut”.