Arbër Hajdari ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij nga Erion Veliaj në letrën e publikuar nga burgu, ku kryebashkiaku pretendon se i është kërkuar të heqë dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t’ia delegojë drejtimin Hajdarit.
Në një postim në rrjetet sociale, Hajdari shprehet se është përballur me shumë mesazhe lidhur me këtë çështje dhe mohon të ketë lidhje me atë që e cilëson si histori penale-politike.
“Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!”, shkruan Hajdari.
Ai mohon gjithashtu se ka pasur ndonjëherë interes për t’u punësuar nga Veliaj, duke theksuar se nuk është i papunë dhe se fundjavat i kalon pranë njerëzve në nevojë.
“Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!”, shprehet ai.
Në fund të reagimit, Hajdari ironizon situatën me fjalinë: “Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës”.





