Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas pretendimeve të avokatot rë Erion Veliajt për kërcënime të përcjella nëpërmjet tij gjatë një takimi në burgun e Fierit. Gogu konfirmon se e ka takuar Veliajn të premten, por mohon kategorikisht t’i ketë përcjellë mesazhet që ky i fundit ka përshkruar në letrën e publikuar.
Në një reagim në rrjetet sociale, ministri thotë se vizita është kryer në kuadër të përgjegjësive të tij institucionale, me qëllim njohjen me kushtet e trajtimit të Veliajt dhe dëgjimin e ankesave të bëra publike nga avokati i tij.
Gogu thekson se me Veliajn e lidh një miqësi e hershme dhe shprehet se nuk dëshiron të besojë që pretendimet e publikuara janë thënë apo shkruar prej tij.
“Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj ‘mesazhet’ që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar”, shkruan ministri.
Ai shton se ka shkuar në burg për të dëgjuar shqetësimet e Veliajt, pas debatit mediatik për kushtet dhe të drejtat e tij, ndërsa nënvizon se rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
“Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore”, përfundon reagimin Toni Gogu. m.k
POSTIMI I TONI GOGUT/ Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.
Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.
Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.
Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.




