Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, mund të largohet nga detyra pas dështimit të negociatave për buxhetin federal të vitit 2027. Sipas agjencisë së lajmeve “Belga”, kreu i qeverisë pritet të takohet këtë mëngjes me mbretin Philippe dhe t’i paraqesë dorëheqjen.
Negociatat mes ministrave të koalicionit qeverisës vijuan deri në orët e para të së hënës, por palët nuk arritën kompromis as për buxhetin e vitit të ardhshëm, as për paketën e kursimeve prej 10 miliardë eurosh, që synon të realizohet deri në vitin 2029 për të frenuar deficitin dhe borxhin publik.
Sipas burimeve të cituara nga “Belga”, De Wever mund t’i ofrojë mbretit dorëheqjen e tij. Mbreti Philippe ka disa mundësi: ta pranojë atë, ta refuzojë ose t’i kërkojë kryeministrit të vazhdojë detyrën deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës.
Mosmarrëveshjet brenda koalicionit pesëpartiak, që përfshin forca me qëndrime të ndryshme politike, nga e majta në të djathtë, rezultuan të pakapërcyeshme. Sipas “Belga”-s, përplasjet u përqendruan kryesisht te mënyra se si duhet të ndahet barra financiare e kursimeve.
Partitë e djathta kundërshtojnë propozimet, duke argumentuar se ato përmbajnë ende shumë taksa. Nga ana tjetër, forcat e qendrës së majtë kërkojnë që pjesën më të madhe të kostos ta përballojnë shtresat me të ardhura dhe mundësi më të mëdha ekonomike.
Belgjika, një nga vendet me nivelin më të lartë të borxhit publik në Bashkimin Evropian, duhet të ndërmarrë shkurtime të konsiderueshme për të respektuar rregullat europiane mbi deficitin dhe borxhin. Në të njëjtën kohë, vendi përballet me kërkesën për të rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake në vitet e ardhshme, në përputhje me objektivat e NATO-s.
Përplasjet politike zhvillohen në një klimë pakënaqësie edhe në rrugë. Qeveria po përballet me protesta të qytetarëve dhe sindikatave kundër masave shtrënguese që pritet të përfshihen në buxhet.
Në tetor, rreth 40 mijë persona morën pjesë në një protestë të organizuar nga sindikatat në Bruksel kundër shkurtimeve të planifikuara. Dy ditë më vonë, një tjetër marshim mblodhi deri në 60 mijë protestues, të cilët kërkuan që qeveria të mos tërhiqet nga objektivat e saj për klimën.


