Gazetari Armand Shkullaku e ka cilësuar si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndë takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me Erion Veliajn në burgun e Fierit, duke e konsideruar rastin si një tregues të asaj që ai e quajti “shtet i mafies”.
I ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Shkullaku kërkoi një reagim zyrtar nga SPAK, duke theksuar se institucioni duhet të sqarojë rrethanat dhe ligjshmërinë e vizitës së ministrit në qelinë e kryebashkiakut, në orën 22:30 të mbrëmjes.
Sipas gazetarit, çështja nuk duhet të zhvendoset te debati mbi pavarësinë e SPAK-ut apo ndikimin e kryeministrit Edi Rama mbi këtë institucion, por te detyrimi për të verifikuar nëse takimi është zhvilluar sipas ligjit dhe procedurave.
Shkullaku e cilësoi vizitën si të paprecedentë, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyen e takimit, mënyrën se si u realizua dhe faktin që ministri nuk dha menjëherë një sqarim publik.
Ai shkoi edhe më tej, duke e krahasuar situatën me skenarët e filmave mafiozë, ku të burgosurve u përcillen mesazhe kërcënuese përmes personave të korruptuar. Sipas tij, në këtë rast shqetësimi është se një mesazh i tillë, nëse është përcjellë, do të vinte përmes një ministri të qeverisë.
“SPAK-u sot ka vetëm një detyrë: të sqarojë një ngjarje të paprecedentë në Shqipëri. Një ministër shkon në burg në orën 22:30, në kundërshtim me ligjin, me rregulloren dhe me të gjitha procedurat e tjera, pa njoftuar prokurorët e SPAK-ut, të cilët kanë nën hetim personin e paraburgosur. Nuk ka rëndësi nëse ka shkuar pa leje apo me leje. Minimumi është që SPAK-u të dalë me një qëndrim”, deklaroi Shkullaku.
Gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi pretendimin e ministrit se vizita ishte kryer për t’u interesuar mbi gjendjen e Veliajt, duke kujtuar se edhe të paraburgosur të tjerë, mes tyre Ilir Meta dhe Lefter Koka, kanë pasur shqetësime shëndetësore.
“Le t’i lëmë mënjanë konsideratat për Erion Veliajn. Ajo që thotë Lali nuk ka pikë rëndësie. Nëse ministri i Drejtësisë pranon se ka shkuar në orën 22:30, ditën e premte, dhe ka takuar një të paraburgosur në qeli, këtu mbaron historia”, u shpreh ai.














