Rekord i jashtëzakonshëm për Mbappen, asnjë skuadër nuk i ka shpëtuar golave të tij

Kylian Mbappe po konfirmon ndeshje pas ndeshjeje ndikimin e tij në futbollin spanjoll, duke regjistruar statistika mbresëlënëse me fanellën e Real Madridit.
Sulmuesi francez ka arritur një tjetër shifër të veçantë në La Liga, pasi ka shënuar ndaj të gjitha skuadrave me të cilat është përballur në kampionat. Ai gjeti rrugën e rrjetës edhe kundër Racing Santanderit, duke realizuar nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 11-të dhe duke kaluar madrilenët në avantazh.
Sipas të dhënave të OptaJose, me këtë gol Mbappe ka arritur në kuotën e 68 realizimeve ndaj 24 skuadrave të ndryshme në kampionatin spanjoll. Një tregues i qartë i vazhdimësisë dhe aftësisë së tij për të bërë diferencën përballë kundërshtarëve të ndryshëm.
Francezi po spikat edhe për saktësinë nga pika e bardhë. Që nga fillimi i sezonit 2024/25, ai ka realizuar 18 penallti në La Liga, duke ndarë vendin e parë në këtë statistikë me sulmuesin e Osasunës, Ante Budimir.
Me këto shifra, Mbappe vazhdon të jetë një nga protagonistët kryesorë të kampionatit spanjoll, ndërsa paraqitjet e tij po pasurohen vazhdimisht me rekorde dhe arritje individuale.




