
Presidentja në detyrë, Iliana Yotova, fitoi zgjedhjet në balotazh, duke u bërë gruaja e parë e zgjedhur në krye të shtetit bullgar. Ajo deklaroi se do të punojë për arritjen e një konsensusi kombëtar, duke kapërcyer përçarjet politike.
Pas numërimit të të gjitha votave të hënën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se Yotova siguroi 57,6% të votave, ndërsa kandidati i opozitës liberale dhe pro-perëndimore, Andrey Gyurov, mori 39,5%.
Gyurov pranoi humbjen, duke thënë se “kështu kanë votuar qytetarët bullgarë”, dhe shtoi se rezultatet duhet të pranohen ashtu siç janë.
“Votova për konsensus kombëtar përmes dialogut, për institucione që punojnë në shërbim të qytetarëve, për një shtet të fortë, me politikën e tij të jashtme, në një Evropë të fortë”, tha Yotova pas votimit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përgëzoi Yotovën dhe shprehu pritshmërinë për vijimin e bashkëpunimit me të në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, konkurrueshmërisë dhe pavarësisë energjetike. “Për një Bullgari të fortë në një Evropë të fortë”, shkroi von der Leyen në një postim në X.
Votimi përbënte testin e parë të rëndësishëm për partinë e kryeministrit Rumen Radev, Bullgaria Progresive, e cila mban qëndrim miqësor ndaj Moskës dhe kishte mbështetur Yotovën. Në zgjedhjet parlamentare të prillit, partia fitoi 131 nga 240 vendet në Parlament, duke siguruar shumicën absolute.
Vëzhguesit vërejnë se fitorja e Yotovës do ta mbajë presidencën në duart e shumicës qeverisëse. Sipas tyre, ky përqendrim pushteti mund të pengojë funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit dhe balancimit të pushteteve mbi vendimmarrjen politike të institucioneve.
Si Yotova, ashtu edhe Radev kanë bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por kanë shmangur përgjigjet e qarta lidhur me përfshirjen e mundshme të Rusisë në sulmet me dronë në rajonin e Detit të Zi.
Yotova ka kundërshtuar vazhdimin e ndihmës ushtarake bullgare për Ukrainën, duke argumentuar vazhdimisht se konflikti nuk ka zgjidhje ushtarake dhe duke bërë thirrje për krijimin e një “koalicioni për paqen”, të përqendruar te diplomacia.
Yotova, 62 vjeçe, mori detyrën e presidentes në janar, kur Radev dha dorëheqjen për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare. Ajo synonte tashmë të merrte mandatin e saj përmes zgjedhjeve. Pritet që ajo të vijojë politikën e Radevit për ta mbajtur Bullgarinë në rrugën e saj evropiane, ndërkohë që mbështet edhe përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë dhe heqjen e sanksioneve.
Karrierën profesionale Yotova e nisi si gazetare televizive në vitet 1990. Më vonë hyri në politikë dhe u zgjodh deputete në Parlamentin kombëtar, e më pas në Parlamentin Evropian, si përfaqësuese e Partisë Socialiste. Në vitet 2016 dhe 2021, ajo u zgjodh zëvendëspresidente e Radevit.
Yotova e ndau fitoren me Kiril Valchev, të cilin e kishte përzgjedhur si zëvendëspresident. Valchev, 53 vjeç, jurist dhe gazetar, drejtonte Agjencinë Zyrtare Bullgare të Lajmeve që prej vitit 2021.
Vendi ballkanik u anëtarësua në NATO në vitin 2004 dhe në Bashkimin Evropian në vitin 2007. Ndonëse mes partive parlamentare ekziston një konsensus i gjerë për orientimin pro-perëndimor të vendit, ndjenjat e përhapura pro-ruse, të mbështetura në lidhjet tradicionale historike dhe kulturore me Rusinë, kanë përçarë shoqërinë, veçanërisht që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska.
Presidenca e Bullgarisë ka kryesisht rol ceremonial. Megjithëse kreu i shtetit nuk ka kompetenca ekzekutive dhe të gjitha politikat kryesore duhet të miratohen nga Parlamenti, zgjedhja e drejtpërdrejtë i jep presidentit autoritet më të madh politik. Presidenti është komandant i Forcave të Armatosura, mund të vendosë veto ndaj ligjeve, nënshkruan traktatet ndërkombëtare dhe emëron ambasadorët.
Presidentët në Bullgari zgjidhen për një mandat pesëvjeçar dhe mund të shërbejnë jo më shumë se dy mandate. Yotova pritet të bëjë betimin më 22 janar.