Një avion i kompanisë “British Airways”, që ishte nisur mëngjesin e sotëm nga Londra drejt Tiranës, është detyruar të kthehet në aeroportin e Heathrow-t pas një defekti të konstatuar gjatë fluturimit.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, avioni kishte qëndruar rreth një orë në ajër, duke përshkuar afërsisht gjysmën e itinerarit, kur ekuipazhi i njoftoi se ishte konstatuar një problem teknik dhe se do të riktheheshin në aeroportin e nisjes.
Mes pasagjerëve në bord ishte edhe pastori Paulin Vilajeti, i cili ka treguar përmes një reagimi në rrjetet sociale për incidentin, duke konfirmuar se gjithçka përfundoi pa pasoja për udhëtarët.
“Pas një ore fluturim me British Airways, nga Londra për në Tiranë, avioni pësoi defekt në ajër dhe u detyruam të kthehemi sërish në Heathrow. Falë Zotit Jezus, çdo gjë përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Zbritëm shëndoshë e mirë në tokë!
Nganjëherë, dhurata më e bukur e jetës nuk është arritja e një destinacioni… Është thjesht hiri për të qenë përsëri me këmbë në tokë.
Sot nuk mbërrita në Tiranë në orar, por mbërrita më afër qiellit. Kuptova edhe një herë se jeta jonë është tërësisht në duart e Tij”, shkruan Vilajeti.
Pasagjerët kanë mbërritur pa pasoja në Londër, ndërsa udhëtimi drejt Tiranës është ndërprerë për shkak të problemit teknik. Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi natyrën e defektit.


