Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me pretendimet për kërcënime të kryeministrit Edi Rama ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar Partinë Socialiste si një organizatë mafioze.
Në një reagim publik, Bardhi u shpreh se përplasjet mes Ramës, Veliajt dhe ministrit Oltion Gogu nuk janë të papritura, por sipas tij, tregojnë mënyrën se si funksionon mazhoranca. Ai pretendon se brenda PS-së anëtarët shantazhojnë dhe kërcënojnë njëri-tjetrin në luftën për pushtet.
“Shqipëria ka halle shumë më të mëdha sesa lufta e brendshme mafioze mes Ramës dhe Veliajt. Nuk ka asnjë surprizë në sjelljen e Rama-Veliaj-Gogu. Ata thjesht po dëshmojnë çdo ditë se janë pikërisht ajo parti që ne kemi denoncuar prej kohësh: një organizatë mafioze, ku anëtarët sillen si mafiozë, shantazhojnë dhe kërcënojnë njëri-tjetrin”, shkruan Bardhi.
Ai shton se vendi nuk mund të mbetet peng i përplasjeve të brendshme politike, ndërsa e cilëson konfliktin mes drejtuesve socialistë si një luftë për pushtet dhe interesa personale.
“Shqipëria nuk mund të mbetet peng i përplasjeve dhe pazareve të tyre. Problemi i vendit është shumë më i madh sesa lufta për pushtet brenda kësaj organizate mafioze të korruptuar”, përfundon reagimin kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.













