Të paktën shtatë persona humbën jetën në një varkë me emigrantë që po udhëtonte drejt Ishujve Kanarie të Spanjës, raportoi agjencia spanjolle e lajmeve EFE, duke cituar shërbimin e shpëtimit detar të vendit, transmeton Anadolu.
Ekipet e shpëtimit mbërritën te varka të hënën herët, rreth 150 kilometra në verilindje të Arrecifes, kryeqytetit të ishullit Lanzarote. Në bord ndodheshin afro 140 persona.
Dy trupa u gjetën ende në varkë. Të mbijetuarit thanë se trupat e pesë personave të tjerë ishin hedhur në Oqeanin Atlantik gjatë kalimit detar.
Tri varka të tjera, që transportonin gjithsej 132 persona, mbërritën në Arrecife të hënën herët, raportoi transmetuesi Cadena SER, duke cituar Qendrën e Koordinimit të Emergjencave të Ishujve Kanarie.
Reshje të dendura shiu përfshinë të hënën disa pjesë të arkipelagut, ndërsa qeveria rajonale lëshoi alarmin më të lartë për reshje shiu në pjesën lindore të La Palmës, një nga ishujt në perëndim të arkipelagut.
Mbërritjet detare në Ishujt Kanarie u rritën me 285 për qind në tetor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, raportoi Cadena SER, duke cituar qeverinë rajonale.
Megjithatë, për periudhën më të gjatë, nga 1 janari deri më 15 tetor, mbërritjet ranë me 33,5 për qind krahasuar me vitin 2025.
Ministria e Brendshme e Spanjës regjistroi 8.970 persona që mbërritën me rrugë detare në Ishujt Kanarie gjatë kësaj periudhe, kundrejt 13.491 personave një vit më parë.