Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas deklaratave të avokatit Plarent Ndreca për vizitën e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit dhe mesazhin që thotë se i ka përcjellë Erion Veliajt në emër të kryeministrit Edi Rama.
Këlliçi e cilësoi mesazhin e pretenduar si “ofertë mafioze” dhe akuzoi Ramën se po përdor SPAK-un për të ushtruar presion ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij politik.
Sipas versionit të bërë publik nga avokati Ndreca, mesazhi i përcjellë Veliajt ishte: “Hiq dorë nga Bashkia ose do të të vë SPAK-un në shpinë dhe do të të kalb në burg!”.
Këlliçi e përshkroi situatën si një përplasje mes klaneve brenda Partisë Socialiste, duke iu referuar deklaratës së Ramës “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”.
Ai kujtoi gjithashtu përplasjen politike të PD-së me Erion Veliajn dhe protestat e zhvilluara për 44 javë kundër tij, duke theksuar se kryebashkiaku duhet të përballet me drejtësinë, por jo të bëhet objekt shantazhi politik.
“Nëse denoncimi i Plarent Ndrecës qëndron, ne e dënojmë shantazhin mafioz të kryeministrit Rama dhe i kërkojmë publikisht Oltion Gogut të japë sqarime shteruese për këtë çështje”, deklaroi Këlliçi.
Në vijim, nënkryetari i PD-së akuzoi kryeministrin se e përdor SPAK-un si instrument presioni ndaj kundërshtarëve politikë dhe personave brenda vetë Partisë Socialiste.
“Aty del qartë fytyra e vërtetë e Organizatës Partnere të PS, SPAK, të cilën Rama, siç del në bisedë, e përdor si qen sulmi, për ata që kërkon të heqë qafe brenda partisë”, u shpreh ai.
Në përfundim të reagimit, Këlliçi kërkoi dorëheqjen e Edi Ramës, krijimin e një qeverie kujdestare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. m.k





