Shërbimi i Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ka mohuar lajmet se gjatë ditës së shtunë rreth 300 të rinj kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike apo substancave që dyshohet se u janë hedhur në pijet e tyre pa dijeninë e tyre.
Bëhet fjalë për substanca që mund të shkaktojnë humbje të vetëdijes dhe amnezi, duke i bërë personat që i konsumojnë të pambrojtur ndaj abuzimeve të mundshme seksuale. Në këto raste, viktimat mund të mos kujtojnë asgjë nga ajo që ka ndodhur pas rikthimit të vetëdijes.
Shefi i Shërbimit të Toksikologjisë, Andrin Tahiri, u ka bërë thirrje të rinjve të tregojnë kujdes gjatë festimeve dhe të shmangin situatat e rrezikshme.
“Dëfrehuni me njerëz të besuar dhe bëni kujdes me pijet e hapura. Më mirë porosit një tjetër nëse u largove për pak nga tavolina. Dil me njerëz të besuar”, është shprehur Tahiri.
Mjekët apelojnë që të rinjtë të festojnë me përgjegjësi, të shmangin përdorimin e drogave dhe, në veçanti, përzierjen e substancave narkotike me alkoolin, pasi pasojat për shëndetin mund të jenë tepër të rënda, deri edhe të pakthyeshme.


