AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Opinion

Rrugëtimi drejt lirisë: Mësime nga lëvizja studentore në Serbi

Kishte dyshime se si një lëvizje qytetare e decentralizuar dhe pa udhëheqës mund të shndërrohej në një alternativë politike në kutitë e votimit. Por studentët kishin treguar tashmë se imagjinata e tyre demokratike njihte pak kufij.

Milan VujicngaMilan Vujic
7 minutes më parë
në Opinion
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
zaječar bor
Protestë studentore në Zajecar – Bor, në Serbinë lindore, më 16 tetor 2026. Foto: Gavrilo Andrić / protesti.pics

Kush mund ta kishte besuar se një brez i rritur nën hijen e autoritarizmit, mes rrënojave të një shteti që nuk u ndërtua kurrë plotësisht, i rënduar nga nacionalizmi, korrupsioni dhe frika, mund të ndryshonte rrjedhën e vendit të vet? Ndoshta përgjigjja më e drejtë është se askush nuk e besonte. Askush, përveç vetë atyre.

Për ta, mëngjesi i 1 nëntorit 2024 nisi si çdo mëngjes tjetër. Ritmi i jetës studentore diktonte përditshmërinë: provimi i radhës, një tjetër turn nate, ndihma në shtëpi dhe përpjekja për të gjetur kohë për të gjitha. Më pas, u nisën drejt universitetit, i cili, mes gjithë pasigurisë, vazhdonte të ofronte një premtim: përfundo studimet dhe ndoshta diku përtej Serbisë të pret një e ardhme më e sigurt.

Por, në fund të asaj dite, shqetësimet e zakonshme të mëngjesit ia kishin lënë vendin një pamjeje rrëqethëse: strukturës së shembur të strehës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, e cila u shemb nën peshën e asaj që shumëkush e konsideroi si barrën e akumuluar të korrupsionit, duke zënë nën rrënoja jetë fëmijësh dhe të rriturish. Megjithatë, në vend që të lejonin që pikëllimi dhe zemërimi t’i përpinin, ata u dhanë drejtim. Nisën të bllokonin fakultetet e tyre, duke e shndërruar atë që dikur ishte dukur si rruga e tyre e arratisjes drejt një të ardhmeje më të mirë diku tjetër, në bastione prej të cilave mund të ndërtonin një të ardhme të tillë në vendin e tyre.

Pothuajse në të gjitha fakultetet, sallat e leksioneve u kthyen në kuvende studentore, ku studentë me besime fetare, përkatësi etnike dhe bindje politike të ndryshme debatonin, dëgjonin njëri-tjetrin, votonin, pranonin humbjen, flinin dhe të nesërmen ktheheshin për t’ia nisur sërish nga e para. Përmes këtij procesi të ngadaltë dhe shpeshherë zhgënjyes, demokracia u bë një praktikë e jetës së përditshme.

Përmes së njëjtës praktikë të demokracisë së drejtpërdrejtë, ata vendosën se çfarë lloj lëvizjeje do të ndërtonin: një lëvizje të mbështetur në rezistencën paqësore dhe jodhunën. Së bashku, hartuan kërkesat e tyre për reforma, të drejtuara autoriteteve dhe të mbështetura në një parim të thjeshtë: institucionet publike duhet t’u shërbejnë qytetarëve, jo atyre që janë në pushtet.

Ata u larguan nga universitetet vetëm për ta çuar lëvizjen e tyre në rrugë, duke organizuar protestat masive më të mëdha dhe më paqësore në historinë e Serbisë. Përballë monopolit thuajse të plotë të regjimit mbi mediat, ata iu drejtuan teknologjisë dhe ndërtuan një hapësirë të fuqishme mediatike të tyren. Megjithatë, e kuptuan se kjo nuk mjaftonte. Vizioni i demokracisë që po merrte formë në kampuset universitare duhej të përhapej edhe në pjesën tjetër të shoqërisë. Ndoshta, vendimi i tyre më përcaktues ishte, pikërisht, të niseshin në këmbë, duke përshkuar qindra kilometra nëpër kodra e lugina, nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat.

Diku gjatë këtij rrugëtimi, lëvizja studentore u shndërrua në një sistem kombëtar të organizimit dhe funksionimit qytetar, ku njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë gjetën jo vetëm vendin e tyre, por edhe një arsye për të kontribuar në ndryshim.

Regjimi kundërpërgjigjet

1920 1 e1793368825373
Foto: Gavrilo Andrić / protesti.pics.

Dhe nëse e gjithë kjo tingëllon si një përrallë, flluskat në këmbë nga përshkrimi i qindra kilometrave ishin ndoshta pjesa më pak e dhimbshme e saj. Regjimi nuk kishte ndërmend ta lejonte këtë rrjet të gjerë solidariteti dhe shprese të rritej pa pengesa. Ai iu drejtua metodave më brutale të repertorit autoritar, duke mjegulluar efektivisht kufirin mes forcave shtetërore të sigurisë dhe grupeve të krimit të organizuar, si dhe duke i mobilizuar të dyja kundër lëvizjes. Studentët u rrahën, u arrestuan arbitrarisht dhe u mbajtën për periudha të gjata në paraburgim. Kundër tyre u përdorën gaz lotsjellës dhe granata trullosëse, universitetet u bastisën, profesorët u frikësuan dhe u përndoqën, ndërsa aktivistët iu nënshtruan përgjimeve të paligjshme dhe përdorimit të programeve spiune. Gjatë gjithë kësaj kohe, fushata të pandërprera denigruese i paraqisnin studentët si terroristë dhe agjentë të huaj.

Megjithatë, guximi dhe vendosmëria e këtij brezi rezultuan të pathyeshme. Pavarësisht dhimbjes, rraskapitjes dhe frikës që përjetuan, ata vazhduan të ktheheshin në universitetet e tyre për të vijuar punën e ngadaltë dhe kërkuese të ndërtimit të demokracisë. Nuk kaloi shumë kohë derisa kuptuan se kërkesat e tyre nuk do të përmbusheshin. Prandaj, në vend që ta lejonin regjimin t’i tërhiqte në një arenë dhune, ata e sfiduan atë që të përballej me ta në kutitë e votimit, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Natyrisht, kishte dyshime të arsyeshme se si një lëvizje qytetare e decentralizuar dhe pa udhëheqës mund të shndërrohej në një alternativë politike. Por studentët kishin treguar tashmë se imagjinata e tyre demokratike njihte pak kufij.

Një ortek aktesh të vogla

festival slobode
Festivali i Lirisë, Beograd, 26 tetor 2026. Foto: Gavrilo Andrić / protesti.pics.

Përmes së njëjtës praktikë të mundimshme dhe shpesh rraskapitëse të demokracisë së drejtpërdrejtë, asambletë e fakulteteve shpërndanë kuotat për përzgjedhjen e 250 kandidatëve për deputetë, duke garantuar përfaqësimin e të gjitha pjesëve të vendit. Më pas, çdo emër iu nënshtrua shqyrtimit në shkallë kombëtare, ndërsa fakultetet kishin të drejtë të kundërshtonin dhe të vinin kolektivisht veton ndaj përzgjedhjeve të njëri-tjetrit. Në fund, ata përzgjodhën një listë zgjedhore që pasqyronte larminë e jetës në Serbi, me të cilën ishin njohur gjatë udhëtimeve në këmbë, nga punëtorët dhe fermerët tek akademikët, mjekët dhe gjyqtarët: Lista Studentore – Studentët Po Fitojnë.

Më 9 shtator, 492 ditë pasi studentët kishin kërkuar për herë të parë zgjedhje të parakohshme, Aleksandër Vuçiçi më në fund u tërhoq dhe shpalli zgjedhjet. Tetëmbëdhjetë ditë më vonë, ai dha dorëheqjen nga presidenca për të kandiduar për kryeministër.

Që nga ai moment, frytet e luftës së gjatë të studentëve për demokraci nisën të bëheshin të dukshme. Grupet e punës të studentëve, të krijuara muaj më parë, nisën fushatën, të mbështetura nga një infrastrukturë e jashtëzakonshme e vetorganizimit qytetar, ku miliona qytetarë kontribuuan me aq kohë, aftësi dhe burime sa kishin në dispozicion. Duke i kuptuar rrethanat, shumica e partive opozitare u tërhoqën mënjanë. Deri në ditën e zgjedhjeve, nuk kishte pothuajse asnjë cep të Serbisë ku studentët dhe qytetarët të mos ishin organizuar për të mbrojtur votën nga mashtrimi dhe manipulimi.

Pjesëmarrja në votime arriti një nivel historik. Lista Studentore siguroi 52,71 për qind të votave, kundrejt 39,17 për qind të Partisë Progresive Serbe, e cila ishte atëherë në pushtet, duke fituar shumicën absolute në parlament. Fitorja ishte aq vendimtare, saqë edhe një regjim i vendosur për të qëndruar në pushtet me çdo kusht nuk pati zgjidhje tjetër veçse të pranonte humbjen.

Në fillim, këta të rinj nuk kishin pothuajse asgjë tjetër përveç imagjinatës dhe shpresës kokëfortë se vendi i tyre mund të ishte ndryshe. Përmes dy vitesh pune të vendosur, guximi dhe sakrifice, ata arritën të bashkonin miliona njerëz rreth vetes. Shumica prej tyre nuk kishin kërkuar asgjë më shumë se një Serbi demokratike, një vend ku më në fund të mund të përfytyronin një të ardhme të tyren.

E megjithatë, duke rrëzuar një regjim që për një kohë të gjatë kishte nxitur tensionet në të gjithë Ballkanin Perëndimor, kishte mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë e Putinit dhe i ishte paraqitur Evropës si garantues i stabilitetit, ata arritën diçka shumë më të madhe se një ndryshim qeverie.

Ata zhbënë një pjesë të kontrollit të një politike që e kishte mbajtur peng të ardhmen e rajonit për shumë kohë, duke i dhënë Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mundësinë që më në fund të nisnin ndërtimin e së ardhmes që kishin pritur për kaq shumë vite.

Milan Vujić aktualisht punon në Fondacionin Erste në Vjenë. Ai është gjithashtu jurist dhe ish-aktivist studentor nga Novi Sadi, në Serbi.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Etiketa: Aleksandër VuçiçProtesta studentoreSerbi
zaječar bor

Rrugëtimi drejt lirisë: Mësime nga lëvizja studentore në Serbi

13:10 | 02/11/2026
whatsapp image 2026 10 27 at 10.17.18 pm

Një në pesë arrestime gjatë protestave, në shkelje të ligjit

07:52 | 02/11/2026
whatsapp image 2026 10 31 at 4.26.50 pm

Dy botë në një shesh: Studentët dhe “Flamingot” refuzojnë deputetët e Berishës

07:23 | 01/11/2026
hucfmyixkaaevc3

Afrimi me Izraelin, pragmatizëm diplomatik apo politikë personale e Ramës?

06:52 | 01/11/2026
Kalaja e Vile Bashtoves

Shkumbini gërryen brigjet dhe kërcënon të ardhmen e Vilë Bashtovës

19:21 | 31/10/2026
policia 2

Organizatat kundër torturës dënojnë “brutalitetin policor” në protesta

16:36 | 31/10/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.