Ministri Malaj: Rritja e pragut të TVSH, normës mbi dividendin, TVSH 6%, efekt neutral në buxhet

Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi në Komisionin e Ligjeve se efektet e paketës fiskale do të jenë neutrale, pasi parimi mbi të cilin ajo bazohet është rishpërndarja e të ardhurave, duke garantuar mbrojtjen e kategorive në nevojë dhe të shtresës së mesme.
Ministri Malaj tha se paketa fiskale është konceptuar mbi tre parime kryesore: rishpërndarjen e të ardhurave, drejtësinë fiskale dhe përmirësimin e efikasitetit të sistemit tatimor.
Në këtë kuadër, janë propozuar ndryshime në tatimin mbi dividendin, të ardhurat personale dhe TVSH-në, si dhe vijimi i kalendarit të rritjes së akcizës në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian.
Sipas tij, këto masa synojnë të garantojnë të ardhura të qëndrueshme për financimin e politikave publike, si dhe një sistem tatimor më të drejtë.
“Paralelisht me Buxhetin 2027, Ministria e Financave ka hartuar edhe Paketën Fiskale e cila përmban 6 projektligje.
Ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilin bazohet kjo Paketë Fiskale është rishpërndarja e të ardhurave, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe shtresës së mesme.
Ndaj, Paketa Fiskale është konceptuar mbi tre parime kryesore:
Rishpërndarja e të ardhurave
Forcimi i drejtësisë fiskale;
Përmirësimi i efikasitetit të sistemit tatimor;
Në këtë kuadër, janë propozuar ndryshime në: tatimin mbi dividendin, tatimin mbi të ardhurat personale, TVSH-në, vijimin e kalendarit të harmonizimit të akcizave me kërkesat e BE-së, si dhe zhvendosjen e takës së qarkullimit nga karburanti te taksat vjetore të mjeteve.
Këto masa synojnë të sigurojnë një sistem fiskal më të drejtë, të kufizojnë hapësirat për shmangien fiskale, si dhe të garantojnë të ardhura të qëndrueshme për financimin e politikave publike dhe investimeve prioritare”, pohoi ministri i Financave Malaj.
Ndryshimet kryesore sipas Malajt përfshijnë:
-rritjen e normës së tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%;
-rishikimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, duke lehtësuar shtresën e mesme dhe duke forcuar progresivitetin për të ardhurat më të larta;
-uljen e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë;
-aplikimin e normës së reduktuar 6% për 54 produkte të shportës bazë;
-rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%;
-zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburantet tek taksa vjetore e automjetit;
-vijimin e kalendarit të rritjes së akcizave për produktet e duhanit dhe përafrimin me direktivat e Bashkimit Europian.
“Në përfundim, dua të nënvizoj se Projektbuxheti 2027 përfaqëson një nga instrumentet më të rëndësishëm për zbatimin e prioriteteve tona ekonomike dhe sociale.
Qëllimi ynë është që rritja ekonomike të përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët, duke vendosur në fokus familjen, pensionistët, fermerët dhe mbështetjen e sektorëve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.
Një dimension tjetër i rëndësishëm që përshkron Projektbuxhetin 2027 është mbështetja ndaj procesit të integrimit evropian. Në këtë drejtim, buxheti mbështet vijimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe përafrimin e standardeve tona me ato të Bashkimit Evropian”, tha ndër të tjera ministri Malaj në Komisionin e Ligjeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









