Nga pallatet historike te suitat në shpella, hotelet europiane që spikasin për vitin 2027

Për disa udhëtarë, hoteli është thjesht vendi ku kalojnë natën. Për të tjerë, ai mund të jetë vetë arsyeja për të zgjedhur një destinacion.
Lista e re Fodor’s Finest 2027 ka përzgjedhur 50 hotele të jashtëzakonshme në mbarë botën, 11 prej të cilave ndodhen në Europë. Përzgjedhja nuk mbështetet vetëm te luksi dhe shërbimi, por edhe te historia, arkitektura, karakteri i veçantë dhe lidhja e hotelit me destinacionin ku ndodhet.
Mes hoteleve europiane të përzgjedhura janë Grand Hotel Tremezzo, buzë liqenit të Komos në Itali, Hôtel de Paris Monte-Carlo në Monako dhe Orient Express La Minerva në Romë.
Në Edinburg, hoteli The Witchery ndodhet në një ndërtesë të shekullit XVI, pranë kështjellës së qytetit. Ambientet e tij dallohen për dekorin gotik dhe atmosferën historike.
Në ishullin grek të Kretës, Acro Suites, i hapur në vitin 2021, kombinon luksin me shërbimet e mirëqenies. Vizitorët mund të qëndrojnë në suita të ndërtuara në stil shpellash dhe të shijojnë pishina private.
Ndërkohë, Charlotte Street Hotel, një hotel me pesë yje në lagjen Fitzrovia të Londrës, ofron dhoma me dizajne individuale, bibliotekë, sallon dhe një hapësirë të posaçme për shfaqjen e filmave.
Si u përzgjodhën hotelet?
Lista është hartuar nga redaktorët e Fodor’s, në bashkëpunim me qindra ekspertë të hotelerisë dhe turizmit. Ajo përfshin hotele me nivele të ndryshme çmimesh, nga ndërtesat historike deri te hotelet urbane me dizajn bashkëkohor dhe strukturat intime të pushimit.
Sipas Jeremy Tarr, drejtor editorial i Fodor’s Travel, përvoja e jashtëzakonshme e qëndrimit nuk ka të njëjtin kuptim për çdo udhëtar. Për disa mund të jetë shërbimi i personalizuar, për të tjerë vendndodhja apo mundësia për ta përjetuar një destinacion nga një këndvështrim i ri.
Për Europën, Fodor’s vlerëson veçanërisht traditën shekullore të mikpritjes, historinë dhe individualitetin e strukturave hoteliere. Përzgjedhja nuk është një renditje nga vendi i parë te i fundit.
Lista e 11 hoteleve europiane
| Hoteli | Vendndodhja |
|---|---|
| Acro Suites Crete | Kretë, Greqi |
| Airelles La Bastide | Gordes, Provence, Francë |
| Argos in Cappadocia | Uçhisar, Turqi |
| Charlotte Street Hotel | Londër, Angli |
| Grand Hotel Tremezzo | Liqeni i Komos, Itali |
| Hôtel de Paris Monte-Carlo | Monako |
| Hotel Pigalle | Goteborg, Suedi |
| Maison Souquet | Paris, Francë |
| Orient Express La Minerva | Romë, Itali |
| Pulitzer Amsterdam | Amsterdam, Holandë |
| The Witchery | Edinburg, Skoci |
Përzgjedhja tregon se në segmentin e turizmit të luksit, hoteli nuk shihet më vetëm si një vend akomodimi, por si një përvojë më vete, ku historia, arkitektura, shërbimi dhe identiteti lokal luajnë rol të rëndësishëm./EURONEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









