Aktualitet

Edhe sot shira, nisin pas mesdite!

Gjatë ditës së sotme, vendi ynë përfshihet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me kthjellime dhe vranësira mesatare deri të dendura, kryesisht pas orëve të mesditës.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, reshjet e shiut bëhen prezente prej mesditës, fillimisht në jug dhe më pas do të shtrihen gradualisht në të gjithë territorin. Priten me intensitet të ulët, ndërsa në jug dhe pjesërisht në zonën qendrore, nuk mungojnë shtrëngatat afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

Mjegull e dendur dhe mjegullinë pati në orët e mëngjesit, si dhe gjatë episodeve me reshje shiu.

Sa i përket kushteve të erës, fryn nga drejtimi verilindje-juglindje, me shpejtësi mesatare rreth 9 m/s. Në vijën bregdetare dhe zonat luginore, era forcohet, duke arritur shpejtësinë deri në 19 m/s.

Ndërkohë, në det parashikohet valëzim me forcë 3-5 ballë.