Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mendësia patriarkale në tekstet shkollore, Kurti paralajmëron rishikimin e kurrikulave

Albin Kurti - 30 shtator, 2026

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka folur për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke kërkuar përgjegjësi nga të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.

Kurti ka thënë se rasti i Zekajt e ka përballur shoqërinë me një të vërtetë të rëndë që edhe pas denoncimit të dhunës dhe kërkimit të mbrojtjes nga institucionet, një grua mund të përfundojë e vrarë.

“Vrasja e Arlinda Zekajt na ka përballur edhe një herë me një të vërtetë të rëndë se një grua mund të ndjekë të gjitha rrugët që i parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje, madje të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta, dhe prapë të përfundojë e vrarë. Arlinda bëri atë që institucionet u kërkojnë grave të bëjnë kur përballen me dhunë. Dje, ndamë më publikun rrjedhën e rastit dhe lëshimet e evidentuara zingjirore në institucionet përkatëse, me përjashtim të atyre që refuzuan të bashkëpunojnë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka ritheksuar se do të angazhohen deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të japë përgjegjësi, përfshirë edhe përgjegjësinë disiplinore dhe penale.

“Me këtë rast e ritheksoj që do të angazhohemi deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të jap përgjegjësi, edhe disiplinore, por edhe penale. Secili përgjegjës dhe secila përgjegjësi e secilës hallkë duhet të hetohet. Kushdo që ka neglizhuar punën apo ka bërë shkelje të detyrimeve ligjore, duhet të jap përgjegjësi e do të përballet me masa disiplinore e penale”, ka thënë ai.

Në fjalën e tij, Kurti është ndalur edhe te mendësia patriarkale në shoqëri, duke thënë se ajo vazhdon ta konsiderojë gruan si pronë dhe ta shohë pavarësinë e saj si mosbindje ndaj autoritetit mashkullor.

“Vrasja e Arlindës na përballi edhe me një problem më të thellë shoqëror. Me një mendësi patriarkale që ende e konsideron gruan si pronë apo objekt mbi të cilin burri mund të ushtrojë pushtet e forcë, që pavarësinë e saj e sheh si mosbindje dhe vendimin për t’u larguar nga një marrëdhënie si cenim të autoritetit mashkullor. Kjo mendësi nuk ndryshon vetëm me ligje. Ajo kërkon përballje të vazhdueshme në familje, në shkolla, në institucione dhe brenda vetë organizimeve tona politike”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se ndryshimi i kësaj mendësie duhet të nisë që nga edukimi i fëmijëve, duke paralajmëruar rishikimin e mëtejshëm të kurrikulave arsimore në të gjitha nivelet.

“Por ndryshimi i kësaj mendësie duhet të fillojë shumë më herët, që në edukimin e fëmijëve. Do t’i rishikojmë edhe më tutje kurrikulat, duke filluar nga edukimi parashkollor e duke vazhduar në të gjitha nivelet e arsimit, ashtu që barazia, respekti për tjetrin, autonomia personale dhe zgjidhja e konflikteve pa dhunë të mësohen që në fëmijëri, në mënyrë të përshtatshme për secilën moshë”, ka thënë ai.

Kurti ka kritikuar edhe mënyrën tradicionale të edukimit të vajzave dhe djemve, duke theksuar se rolet e trashëguara gjinore duhet të shqyrtohen edhe në tekstet shkollore dhe në edukimin familjar.

“Nuk mund të vazhdojmë t’i edukojmë vajzat që të jenë të dëgjueshme e të durueshme, ndërsa djemtë që të jenë dominues. Këto role të trashëguara duhet t’i shqyrtojmë me guxim, edhe në tekstet shkollore, edhe në mënyrën se si i edukojmë fëmijët tanë. Emancipimi i një shoqërie matet edhe me lirinë që ua njeh grave, por edhe me burrat që ajo edukon. Prandaj, lufta kundër femicidit kërkon edhe një politikë të mirëfilltë arsimore, e cila e trajton barazinë gjinore si pjesë të formimit të qytetarit, që nga fëmijëria e hershme”, ka deklaruar kryeministri.

Kreu i Qeverisë është ndalur edhe te pabarazia ekonomike, duke thënë se patriarkati riprodhohet përmes pabarazisë në pronë, punës së papaguar që rëndon mbi gratë dhe mundësive të pabarabarta në punësim e vendimmarrje.

“Veç kësaj duhet ta kuptojmë se patriarkati nuk mbahet gjallë vetëm nga mendësitë e vjetra. Ai riprodhohet edhe përmes pabarazisë ekonomike, përmes pronës që u lihet djemve e jo vajzave, përmes punës së papaguar që rëndon mbi gratë, përmes mundësive të pabarabarta në punësim dhe vendimmarrje. Prandaj emancipimi do të vazhdojë të jetë pjesë e politikave tona arsimore, ekonomike e sociale”, ka thënë Kurti.

Në fund, Kurti ka thënë se barazia gjinore duhet të dëshmohet përmes vendimeve dhe politikave konkrete, si dhe përmes mënyrës se si institucionet i mbrojnë gratë kur jeta e tyre është në rrezik.

“Barazia gjinore duhet të dëshmohet në vendimet që marrim, në politikat që zbatojmë dhe në mënyrën se si i mbrojmë gratë kur u rrezikohet jeta. Në këtë drejtim kemi bërë shumë dhe kemi përgjegjësi politike të kërkojmë llogaridhënie për çdo shkelje të konstatuar”, ka përfunduar Kurti.

Kurti i habitur që VV-ja u lidh me protestat në Shqipëri: Ne tash jemi forcë qeverisëse

12 o. më parë / 31 tet 2026 15:09
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i habitur se si parti që drejton u lidh me protestat e dhunshme që shpërthyen në Shqipëri para pak javësh. Në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka thënë se tash janë forcë qeverisëse e jo protestuese, prandaj edhe nuk lejojnë të instrumentalizohen.

Kurti ka theksuar se zhvillimet në Shqipëri përcillen me shqetësim dhe përgjegjësi, duke e cilësuar përparimin demokratik të saj si përgjegjësi historike kombëtare për shqiptarët.

“Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave. Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare. Prandaj, zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, kujdes, përgjegjësi dhe dashuri. Përparimi demokratik i Shqipërisë është edhe përgjegjësi historike kombëtare. Është e rëndësisë jetike që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisje që nuk i përkulen oligarkisë”, ka thënë ai.

Sa i përket pjesëmarrjes së VV-së në këto protesta, Kurti ka thënë se nuk kanë pasur kohë ta flasin për shkak të zhvillimeve në Kosovë. Shtoi se kurrë nuk e kanë parë të denjë taktikën ‘me hedh gurin e me fsheh dorën’.

“Ne nuk kemi patur rastin të flasim për to, të zënë siç kemi qenë me fushatën dhe zgjedhjet e qershorit e më pas me tensionin pothuaj dramatik që na shoqëroi deri te zgjedhja e presidentes. Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese, e edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë kush, as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët”, është shprehur Kurti.

Ai ka theksuar se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë rivale e Shqipërisë, duke përmendur edhe dëshirën për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme.

“Ne jemi në krye të Qeverisë Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, apo për arritjet e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë. Ne me gjithë zemër duam dhe dëshirojmë që këto arritje të Qeverisë së Shqipërisë e të popullit shqiptar të konsolidohen dhe të zgjerohen edhe me projekte të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, infrastrukturore, ekonomike, arsimore, ushtarake e jo vetëm”, ka deklaruar kryeministri.

Duke folur për përplasjet gjatë protestave, Kurti ka thënë se dhuna dhe lëndimet ndaj qytetarëve janë shqetësim i përbashkët, por sipas tij, përtej përcaktimit të përgjegjësive penale, duhet të analizohen edhe shkaqet që çojnë në përshkallëzimin e kundërshtive.

“Në anën tjetër, dhuna e lëndimet ndaj njerëzve, ballafaqimet direkte në rrugë janë brengë e të gjithëve. Por, nuk mjafton të përcaktohen vetëm përgjegjësit penalë të dhunës. Duhet të kuptohen edhe rrënjët e saj, kushtet që e ushqejnë dhe arsyet që i shndërrojnë kundërshtitë në përplasje. Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”, ka thënë Kurti.

Ai ka vënë theksin te rëndësia e rinisë dhe e studentëve, duke thënë se të rinjtë duhet të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri, të jetojnë me dinjitet nga puna dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes.

“Veçanërisht të rinjtë duhet të kenë arsye të besojnë në të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të jetojnë me dinjitet nga puna, të jenë palë në vendime dhe ta kenë shtetin si mbështetje. Rininë dhe atë studentore i kemi shumë të çmuara. Një demokraci që humbet besimin e të rinjve e mbyt ripërtëritjen e ndryshimin shoqëror. Ne duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisje, ku institucionet janë më të forta se forcat e padrejtësisë, ku drejtësia është aksion shoqëror dhe ku liria kombëtare merr kuptim përmes drejtësisë shoqërore”, tha Kurti. /EO

Kurti: Presim ndryshim të qasjes së Beogradit ndaj Kosovës

13 o. më parë / 31 tet 2026 13:34
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në fjalën e tij në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ka folur për rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat, sipas tij, sollën ndryshime të rëndësishme në skenën politike të vendit fqinj, si dhe për rezultatin e arritur nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kurti ka theksuar se Koalicioni Shqiptar ka arritur të marrë 27.670 vota, duke siguruar dy mandate parlamentare dhe duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000.

“Të dielën që lamë pas, në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat sollën rezultate historike për shqiptarët dhe ndryshime të rëndësishme politike në fqinjin tonë verior. Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota, plot 1.233 më shumë se në vitin 2020, duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve që nga viti 2000 dhe duke siguruar dy mandate parlamentare”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka vlerësuar edhe bashkimin e subjekteve politike shqiptare, duke thënë se rezultati i arritur është dëshmi e vendosjes së interesit të përgjithshëm mbi atë partiak.

“Shqiptarët, ndonëse pakica e katërt kombëtare për nga popullsia në Serbi, u renditën të dytët për nga votat dhe të parët, së bashku me hungarezët, për nga mandatet ndër 9 listat e pakicave kombëtare. Ky rezultat është fryt i përbashkimit të subjekteve politike shqiptare, të cilat, përkundër dallimeve ndërmjet tyre, vendosën interesin e përgjithshëm mbi atë partiak. Për këtë i falënderoj drejtuesit e secilit subjekt politik, kandidatët, aktivistët dhe qytetarët që e bënë të mundur këtë arritje”, është shprehur ai.

Duke folur për rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve në Serbi, Kurti ka thënë se ato kanë sjellë një rikonfigurim të skenës politike, ku Lista Studentore doli e para, ndërsa koalicioni i Aleksandar Vuçiqit humbi shumicën parlamentare dhe lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit.

“Këto zgjedhje sollën edhe një rikonfigurim të skenës politike në Serbi. Lista Studentore doli e para, koalicioni i Aleksandar Vuçiqit humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, humbën. Aktualisht, ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk e dimë kush e ka fituar atë. Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka thënë Kurti.

Në vijim të fjalës së tij, kryeministri ka përmendur edhe nevojën për ballafaqim me të kaluarën, denazifikim të diskursit politik, dekriminalizim institucional dhe demokratizim të brendshëm në Serbi, duke i cilësuar këto si kushte për normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinje.

“Ballafaqimi me të kaluarën, denazifikimi i diskursit politik, dekriminalizimi institucional dhe demokratizimi i brendshëm duhet të krijojnë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët”, ka deklaruar ai.

Kurti ka theksuar se zbardhja e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë, identifikimi i lokacioneve të varrezave masive dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur mbeten detyrime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.

“Zbardhja e krimeve ndaj civilëve shqiptarë, e vendndodhjeve të varrezave masive dhe e fatit të personave të zhdukur është detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Pa të vërtetën për të kaluarën, nuk mund të ndërtohet besimi për të ardhmen. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e bashkëpunim, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Prandaj, shpresojmë që zhvillimet e reja të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë”, shtoi Kurti.