Gazetari Marin Mema ka reaguar përmes një deklarate lidhur me pjesëmarrjen e Fredi Belerit në ceremoninë përkujtimore për Kostandin Kacifasin. Mema ngre pikëpyetje për moszbardhjen e plotë të çështjes së Masakrës së Peshkëpisë, ku mbetën të vrarë oficeri Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini.
Në reagimin e tij, gazetari përmend edhe flamujt e “Vorio Epirit” që, sipas tij, janë parë gjatë ceremonisë, ndërsa kritikon heshtjen e autoriteteve dhe kërkon që çështja e Masakrës së Peshkëpisë të ndiqet deri në fund.
Mema ngre gjithashtu pyetje për dosjen e depozituar në Gjykatën Kushtetuese në muajin mars dhe për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje.
Në fund të reagimit, gazetari shkruan:
Ja edhe Beleri, që duhet të hetohet për Masakrën e Peshkëpisë, ku mbetën të vrarë oficeri Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini, zbret dhe nderon e përkujton Kacifasin! Ndërkohë, në krah gjatë ceremonisë, dallohen edhe flamujt e fantazmës së “Vorio Epirit”. Autoritetet heshtin, ndërsa Beleri dhe të tjerë, të fshehur nën petkun e festës së “Jo-së”, nderojnë dhe reklamojnë ekstremizmin! Një dosje ende pret në Gjykatën Kushtetuese, një dosje e depozituar në mars! Përse Masakra e Peshkëpisë nuk çohet deri në fund!? Si mund të shkelet në këtë formë mbi gjakun e Dëshmorëve Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini!?


