Një grua që kishte kaluar pothuajse të gjithë jetën e saj profesionale duke u kujdesur për kafshët e egra ka humbur jetën pas një sulmi nga një leopard në Holandë. Ngjarja ndodhi në parkun safari Beekse Bergen, në qytetin Hilvarenbeek, në jug të vendit. Kujdestarja ndodhej në një ambient të mbyllur ku mbaheshin dy leopardë persianë, kur njëri prej tyre e sulmoi duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë dhe qafë.
Pavarësisht plagëve, gruaja arriti të kërkonte ndihmë përmes radios së komunikimit me kolegët. Menjëherë drejt parkut u nisën një ambulancë dhe një helikopter mjekësor, ndërsa e plagosura u transportua në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente.
Gjendja e saj u përkeqësua të dielën në mbrëmje dhe, pas disa ditësh në gjendje kritike, ajo ndërroi jetë të martën, më 27 tetor. Historia e saj ka prekur stafin e parkut. Gruaja kishte nisur punën në Beekse Bergen kur ishte vetëm 17 vjeçe dhe, me disa ndërprerje të shkurtra, kishte punuar aty për pothuajse katër dekada. Tetë vitet e fundit ishte kujdesur për leopardët.
Drejtuesit e parkut kanë shprehur dhimbjen për humbjen e punonjëses dhe kanë kërkuar respektimin e privatësisë së familjes dhe kolegëve të saj.
Ndërkohë, një hetim i pavarur ka nisur për të zbuluar se si kujdestarja përfundoi në të njëjtin ambient me kafshët grabitqare. Sipas procedurave të sigurisë, punonjësit normalisht nuk lejohen të qëndrojnë brenda hapësirave ku ndodhen leopardët.
Hetimi vështirësohet edhe nga fakti se në ambientin ku ndodhi sulmi nuk kishte kamera sigurie. Për këtë arsye, ende nuk është përcaktuar saktësisht se çfarë ndodhi dhe nëse në sulm u përfshi njëri apo të dy leopardët.
Dy kafshët ishin vendosur në ambientin e brendshëm për shkak të motit të keq. Drejtuesit e parkut kanë bërë të ditur se leopardët nuk do të eliminohen, pasi sjellja e tyre konsiderohet pjesë e instinktit natyror të grabitqarëve.
Parku Beekse Bergen, i cili strehon më shumë se 100 lloje kafshësh, ka njoftuar se do të krijojë një hapësirë për homazhe në kujtim të punonjëses.