Fuqizimi ekonomik i grave, qasja në financa, zgjerimi i bizneseve përtej tregjeve vendore dhe bashkëpunimi rajonal ishin në fokus të Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimeve B2B – Edicioni IV, “She Rises Regional 2026”, e organizuar në Prishtinë.

Presidentja e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Afërdita Kelmendi, tha se fuqizimi i grave nuk mund të trajtohet vetëm përmes pozitave profesionale dhe suksesit në biznes, por duhet të garantohet edhe siguria dhe dinjiteti i tyre.


Ajo, duke përmendur tragjedinë e Arlinda Zekajt, tha se shoqëria nuk mund të pretendojë fuqizimin e grave nëse nuk arrin t’ua garantojë të drejtën themelore për të jetuar të sigurta dhe të lira.

“Tragjedia e Arlindës na kujton se një shoqëri nuk mund të pretendojë se po e fuqizon gruan nëse nuk arrin t'ia garantojë të drejtën më themelore të jetojë e sigurte, e lirë dhe me dinjitet. Por fuqizimi i gruas nuk fillon dhe as nuk përfundon me një pozitë profesionale në një biznes të suksesshëm apo një funksion të lartë shtetërore. Ekonomia globale po ndryshon me shpejtësi, teknologjia e inteligjencë artificiale e tranzicionit dixhital e i gjelbër dhe pasiguria e tregjeve po ndryshojnë mënyrën se si punojmë dhe konkurrojmë. Gratë ndërmarrëse janë pjesë e këtij transformimi, por shpesh përballen me pengesa shtesë: qasje më të vështirë në financim, mundësi më të kufizuara investimi dhe përfaqësim më të vogël në sektorët me vlerë të lartë ekonomike. Nuk mjafton të kemi më shumë gra që hapin biznese; duhet të kemi më shumë gra që i rrisin ato që eksportojnë dhe konkurrojnë përtej tregut botëror. Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, të shikuara veçmas, kanë tregje relativisht të vogla, por së bashku krijojmë një hapësirë shumë më të madhe mundësish”, tha ajo.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, tha se kur gratë kanë mundësi të zhvillojnë bizneset e tyre, përfiton e gjithë shoqëria, përmes krijimit të vendeve të punës, rritjes së konkurrencës dhe forcimit të ekonomisë.

Ajo theksoi se, pavarësisht përparimeve, gratë vazhdojnë të përballen me vështirësi në qasjen në financim, tregje dhe rrjete biznesore.

Shiroka Pula tha se duhet të krijohen kushte që gratë jo vetëm të hapin biznese, por edhe t’i zhvillojnë dhe zgjerojnë ato.

“Kur gratë kanë mundësi, të zhvillojnë biznese të tyre, përfitojnë gjithë shoqëria. Krijohen vende pune, rritet konkurrenca dhe forcohet ekonomia. Megjithatë, gratë ende përballen me pengesa në qasje në financim, tregje dhe rrjete biznesi. Prandaj, duhet të krijohen kushte që ato jo vetëm të hapin biznese, por edhe të zhvillojnë dhe të zgjerojnë ato. Kjo çështje ka edhe një domethënie. /Kp/