Botë e Çuditshme

Qëndroi i mbyllur për 17 mijë vite në shpellë, zbulohet…

Një shpellë e izoluar nga bota për gati 17 mijë vite ka ruajtur një thesar të jashtëzakonshëm arkeologjik, duke u dhënë shkencëtarëve mundësinë të zbulojnë se si jetonin njerëzit gjatë Epokës së Gurit. Bëhet fjalë për shpellën La Garma, në rajonin e Kantabrisë, në veri të Spanjës, hyrja e së cilës u bllokua nga një rrëshqitje shkëmbinjsh në fund të Epokës së fundit të Akullnajave.

Shpella mbeti e izoluar për rreth 16.800 vite, derisa u rizbulua në vitin 1995. Brenda saj, arkeologët kanë identifikuar plot 4.614 objekte, si dhe mbetjet e një banese prehistorike të ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme. Një nga zbulimet më interesante është një kasolle e vogël, e ndërtuar nga gjuetarët dhe mbledhësit e ushqimit që jetonin në atë periudhë.

Ata kishin shfrytëzuar muret shkëmbore dhe stalagmitet për të mbështetur një strukturë të krijuar me shtylla dhe lëkurë kafshësh. Në qendër të banesës ndodhej një vatër zjarri, e cila përdorej për ngrohje dhe si vend grumbullimi.

Përreth saj janë zbuluar gjurmë të prodhimit të veglave dhe përpunimit të lëkurëve. Studiuesit e Universitetit të Kantabrisë kanë analizuar mijëra objekte, përfshirë tehe prej stralli, maja heshtash, fuzhnja dhe mjete të tjera të përdorura në jetën e përditshme.

Gjithashtu, janë gjetur mbetje kockore drerësh, kuajsh të egër dhe bizonësh, që tregojnë mënyrën e ushqyerjes dhe teknikat e gjuetisë. Sipas arkeologëve, vlera e jashtëzakonshme e La Garmës qëndron te ruajtja e objekteve në pozicionet e tyre origjinale. Kjo u mundëson studiuesve të rindërtojnë organizimin e jetës së përditshme dhe aktivitetet e njerëzve që banonin aty mijëra vite më parë.