Si çiftëzoheshin dinosaurët miliona vite më parë? Kjo është një nga pyetjet që vazhdon të mundojë shkencëtarët, por zbulimet e fundit fosile mund të hedhin dritë mbi këtë mister.
Megjithëse dihet se dinosaurët shumoheshin duke bërë vezë, mënyra se si zhvillohej çiftëzimi mbetet ende e paqartë.
Sipas gazetës gjermane Bild, një nga zbulimet më të rëndësishme lidhet me fosilin 120 milionë vjeçar të një dinosaurusi të quajtur Psittacosaurus, me përmasa të ngjashme me një qen Labrador.
Shkencëtarët kanë zbuluar gjithashtu gjurmë pigmentimi, të cilat mund të kenë shërbyer për të tërhequr partnerët gjatë çiftëzimit.
Një tjetër zbulim interesant lidhet me shenjat e gërvishtjeve në tokë, që mund të tregojnë rituale çiftëzimi të ngjashme me ato të zogjve të sotëm. Ndërkohë, studiuesit kanë analizuar rreth 550 dëmtime në rruazat e bishtit të dinosaurëve barngrënës Hadrosaurus.
Modelet kompjuterike sugjerojnë se disa prej këtyre dëmtimeve mund të jenë shkaktuar gjatë çiftëzimit. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se këto mbeten hipoteza që kërkojnë prova të tjera për t’u konfirmuar.