Protesta e studentëve në Shqipëri ka hyrë në ditën e 13-të, ndërsa pakënaqësia ndaj qeverisë është zgjeruar përtej kërkesave fillestare për arsimin.

Ajo që nisi si një reagim për uljen e tarifave të studimit dhe përmirësimin e kushteve në universitete, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë politike, me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.


Gjatë këtyre ditëve, tubimet janë shoqëruar edhe me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Telegrafi.com do të raportojë në kohë reale për protestën nga studentët në Tiranë, ndërsa të gjitha zhvillimet për 11-ditët e para të protestës mund t’i lexoni KËTU:

27/10/2026 13:40- Tubimi para Ministrisë së Arsimit, nis grumbullimi i studentëve të Mjekësisë


Studentët e Mjekësisë kanë nisur grumbullimin e tyre dhe kanë vijuar marshimin drejt institucioneve shtetërore, ku prej 15 ditësh me radhë kanë zhvilluar tubimin e tyre.

Ky tubim vjen pas njoftimit të djeshëm, sipas të cilit sot, në orën 14:00, protestuesit do të mblidhen para Ministrisë së Arsimit.

27/10/2026 08:17- Rama vijon thirrjen për dialog, studentët kërkojnë largimin e tij

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe këtë të martë thirrjet për dialog me studentët, ndërsa protestat kundër qeverisë hyjnë në ditën e 14-të.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka shpërndarë pamje të ulëseve të vendosura përpara Kryeministrisë, duke përsëritur mesazhin e tij për uljen në tryezën e dialogut.

26/10/2026 14:38- U lëndua në sy gjatë protestës, Prokuroria nis hetimet ndaj policisë për rastin e Erjon Vishkullit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr.7806, të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.

Gjithashtu, në kuadër të hetimeve po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve.

Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.

Lajmi i plotë

26/10/2026 14:38- 13 ditë protesta në Shqipëri, Rama fton sërish studentët në dialog

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur këtë të hënë thirrjen për dialog me studentët, pas 13 ditësh protestash që kanë përfshirë kryeqytetin.

Përmes një postimi, Rama ka publikuar pamje të ulëseve të vendosura para Kryeministrisë, duke përcjellë mesazhin e tij për gatishmëri për dialog.

Lajmi i plotë

25/10/2026 21:02- Protesta e 13-të mbyllet me përplasje e molotov

LSA PHOTO

Protesta e studentëve në ditën e saj të 13-të ka përfunduar pas rreth gjashtë orë me një itinerar nga Ministria e Arsimit, te Kryeministria dhe sheshin “Skënderbej”.

Gjatë qëndrimit në shesh disa protestues me maska kanë ndezur zjarr, ndërkohë që i kanë vënë flakën edhe një peme në lulishten pranë sheshit. Ata kanë vendosur edhe gozhda për të çarë gomat e makinave të Policisë që mund të hynin në shesh. Protestuesit kanë qëlluar edhe me molotov forcat e policisë pranë sheshit “Skënderbej”.

Gjatë qëndrimit në bulevard, pjesëmarrës në protest sulmuan dhe thyen xhamat e Kryesisë së Kuvendit si dhe dëmtuan disa biznese në katin e parë të “Kullave Binjake”, përfshirë edhe një bankë të nivelit të dytë. Gjithashtu, protestuesit e maskuar thyen me hekur ndriçuesit te Kryeministria, hodhën gurë e kapsolla drejt godinës së qeverisë si dhe ndaj efektivëve.

Pas thirrjeve të vazhdueshme për distancim nga akte të dhunshme, policia ndërhyri duke shpërndarë protestuesit me ujë dhe gaz lotsjellës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi se nga protesta e sotme katër persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore, mes të cilëve dy efektivë.

25/10/2026 18:04- Protestuesit dëmtojnë derën e Kryesisë së Kuvendit

Tensionohet situata në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e 13-të të rezistencës kundër qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Protestuesit kanë hedhur gurë dhe kanë thyer xhamat e dritareve si dhe kanë dëmtuar derën e Kryesisë së Kuvendit.

Video

25/10/2026 15:50- Protestuesit thyejnë ‘karriget e dialogut’ para Kryeministrisë, iu vendosin flakën

Situata para Kryeministrisë është tensionuar, ku protestuesit kanë thyer “karriget e dialogut” dhe më pas u kanë vënë flakën.

Ngjarja vjen pas marshimit të protestuesve nga godina e Ministrisë së Arsimit drejt Kryeministrisë, ku më herët situata u përshkallëzua me hedhjen e gurëve në drejtim të godinës së ministrisë dhe thirrjet “Ju erdhi fundi”.

Video

25/10/2026 15:40- Tensione para Ministrisë së Arsimit, protestuesit hedhin gurë dhe marshojnë drejt Kryeministrisë

Situata para Ministrisë së Arsimit është tensionuar pasditen e sotme, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të godinës së institucionit, ndërsa kanë brohoritur “Ju erdhi fundi”.

Protesta, e cila nisi rreth orës 14:00 është përshkallëzuar në minutat e fundit, teksa disa të rinj janë parë duke hedhur gurë drejt ministrisë.

Ndërkohë, forcat e policisë janë vendosur në gatishmëri të lartë duke krijuar një kordon sigurie pranë godinës.

Lajmi i plotë

25/10/2026 14:53- Fillon grumbullimi i protestuesve para Ministrisë së Arsimit, forca të shumta policie

LSA PHOTO

Protestues të shumtë kanë nisur të mblidhen para Ministrisë së Arsimit. Në vendngjarje ka një prani të shtuar të forcave të rendit dhe efektivëve të policisë, të cilët po monitorojnë situatën nga afër për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurinë.

Edhe pse situata deri më tani paraqitet e qetë, autoritetet kanë marrë masat paraprake. Në terren janë vendosur gjithashtu autobote të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, të gatshme për çdo skenar të mundshëm në rast tensionimi të situatës. Protestuesit gjithashtu po bëjnë thirrje që qytetarët të bashkohen me ta.

“Bashkohuni me ne”, thërrasin ata një zëri, shkruan euronews.

25/10/2026 14:27- “28-vjeçari i plagosur në sy do të kurohet në Itali”, shefja e Shërbimit të Okulistikës në QSUT: Gjendja është më e stabilizuar

Shefja e Shërbimit të Okulistikës në QSUT, prof. Vilma Mema, ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u dëmtua në sy nga një plumb gome gjatë protestës së djeshme në Tiranë.

Ajo bëri me dije se pas konsultës me ekipin e mjekëve janë konstatuar disa shenja pozitive dhe gjendja paraqitet më e stabilizuar.

Për të vijuar trajtimin, është vendosur që i riu t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje të dytë në një klinikë të specializuar në Itali, ku do të bëhet heqja e trupit të huaj.

"Kemi kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të cilët janë vënë në dispozicion për transportin e pacientit sot dhe duke qenë në bashkëpunim me mjekun dhe stafin atje për të gjithë ecurinë në të ardhmen.

Sa i përket shikimit, është kryer ndërhyrja e parë brenda gjithë protokolleve në mënyrë korrekte nga Trauma dhe më pas pritet një ndërhyrje më e specializuar duke parë hap pas hapi se si do të jetë gjendja e syrit. Kjo do duket në ditët në vazhdim”, tha shefja e shërbimit të okulistikes, QSUT

25/10/2026 14:11- Berisha: Studentët triumfuan dje sepse faktuan se nuk ka dhunë dhe terror që mund t’i mposhtë ata

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për protestën e djeshme të studentëve në Tiranë, duke e cilësuar atë si një ditë triumfi për të rinjtë.

Berisha deklaroi se protestuesit dëshmuan se dhuna dhe kërcënimet nuk mund t’i mposhtin, ndërsa e përshkroi tubimin si një protestë atdhetare. Sipas tij, kjo shpreh dëshirën e të rinjve për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

Lajmi i plotë

25/10/2026 13:57- Rama reagon pas plagosjes së protestuesit: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas plagosjes së një protestuesi nga Elbasani gjatë protestës së fundit në Tiranë, duke thënë se është marrë personalisht me sigurimin e trajtimit të tij mjekësor në Itali.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka shprehur keqardhje për lëndimin e të riut, por ka kritikuar organizatorët dhe nxitësit e dhunës, duke i bërë përgjegjës për pasojat që mund të sjellin protestat e dhunshme.

Lajmi i plotë

25/10/2026 13:56- Rama prezanton paketën kundër dhunës në protesta, gjoba deri në 5 mijë euro dhe kufizime të tubimeve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, një ditë pas protestës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje me policinë, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.

Rama ka bërë të ditur se paketa përbëhet nga gjashtë instrumente ligjore, të cilat, sipas tij, synojnë të parandalojnë dhunën, të garantojnë sigurinë publike dhe të sigurojnë që dëmet e shkaktuara të paguhen nga personat përgjegjës.

Lajmi i plotë

25/10/2026 12:27- “Plumbin e kam ende në sy”, para nisjes drejt Italisë, rrëfehet 28-vjeçari që u plagos në protestë

Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë. Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës.

Mes dhimbjes dhe pasigurisë për shikimin, ai rrëfen për herë të parë ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa çfarë ndodhi, pak para se gjithçka të ndryshonte.

Lajmi i plotë

25/10/2026 11:31- Rama paralajmëron gjashtë masa ligjore kundër dhunës pas protestës në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar prezantimin e paketës së re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, një ditë pas protestës së së shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private.

Rama theksoi se paketa mbështetet në parimin se “protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari”.

Lajmi i plotë

25/10/2026 10:16- Protesta e djeshme në Tiranë, 23 të lënduar - i riu i plagosur nga pumbi i gomës iu nënshtrua operacionit në sy

LSA PHOTO

23 persona janë paraqitur në strukturat shëndetësore me lëndime gjatë protestës së mbajtur më 24 tetor në Tiranë, njofton Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë.

Sipas përditësimit të ministrisë, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 16 të lënduar, përfshirë 12 protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie.

Lajmi i plotë

25/10/2026 10:15- Po hetohet plagosja e të riut me plumb gome - një efektiv i “Shqiponjave” i pezulluar

LSA PHOTO

Pesë punonjës policie mbetën të plagosur gjatë protestës së zhvilluar më 24 tetor në Tiranë, ndërsa Policia e Shtetit ka nisur hetimet për incidentin ku një 28-vjeçar pësoi dëmtim në sy.

Paralelisht, një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” është pezulluar nga detyra pas publikimit të pamjeve ku dyshohet se ka tejkaluar kompetencat.

Lajmi i plotë

25/10/2026 08:45- Rama u bën sërish ftesë për dialog studentëve, ata kërkojnë dorëheqjen e tij

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka bërë sërish ftesë për dialog studentëve dhe të rinjve këtë të diel.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rama ka bërë të ditur se ftesat për dialog janë vendosur sërish jashtë ambienteve të Kryeministrisë.

Në video shihet një tavolinë prej guri, mbi të cilën janë vendosur ftesat me mbishkrimin “Dialog”, ndërsa përreth saj janë vendosur karrige dhe ulëse prej guri.

Lajmi i plotë

25/10/2026 08:41- Protestuesit mblidhen sërish sot në Tiranë në orën 14:00

Pas protestës së djeshme në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, të rinjtë kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve edhe sot.

Protesta e radhës pritet të zhvillohet në Ministrinë e Arsimit, rreth orës 14:00, ku do të ketë dhe nisjen e saj, ndërkohë pritet për tu parë se si do të shpërndahet më pas tubimi.

Gjatë protestës së djeshme, situata u përshkallëzua në disa zona të kryeqytetit, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve.

Ndërkohë, disa persona u shoqëruan në spital për ndihmë mjekësore, teksa rasti më i komplikuar dhe i rëndë sipas bluzave të bardha, ishte 28-vjeçari nga Elbasani Erjon Vishkulli, i cili u godit me plumb gome në sy gjatë protestës.

24/10/2026 23:51- Nuk ndalet protesta, studentët mblidhen sërish të dielën para Ministrisë së Arsimit

Një tjetër protestë është njoftuar për t’u mbajtur nesër në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.

Sot u shënua dita e 12 e protestës, të cilës iu bashkua edhe Partia Demokratike. Protestuesit u përplasën me policinë, duke e sulmuar me gur, molotov, e fishekzjarrë.

Ndërkaq “blutë” u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës, ujë me presion, ndërsa nuk munguan as goditjet me plumba gome dhe shkop gome.

Përplasje të forta u zhvilluan në disa zona kryesore të Tiranës, ndërsa deri më tani raportohet për 13 të lënduar.

24/10/2026 22:44- Mbi 6 orë trazira në Tiranë, protesta e 12-të mbyllet me dhunë

Kryeqyteti shqiptar u përfshi për më shumë se 6 orë nga një protestë e dhunshme, e cila kulmoi me përplasje fizike, dëmtime të pronës publike e private dhe përdorim të mjeteve të rrezikshme.

Situata më e tensionuar u regjistrua në Sheshin “Skënderbej”, pranë godinës së Parlamentit në rrugën “George W. Bush”, si dhe gjatë marshimeve në akset “Myslym Shyri”, Rruga e Kavajës dhe “Vasil Shanto”. Protestuesit e maskuar përdorën bomba Molotov, lëndë piroteknike, gurë, shufra dhe lazerë shpërqendrues, ndërsa Policia e Shtetit u kundërpërgjigj me ujë me presion, plumba gome dhe gaz lotësjellës për të shpërndarë turmat e dhunshme.

Gjatë lëvizjes së protestuesve, u regjistruan dëme të konsiderueshme materiale në disa pika kyçe të Tiranës.

24/10/2026 19:33- Sulm me fishekzjarre e molotov mbi policinë

Në asnjë rrugë rreth qendrës së Tiranës nuk ka më qetësi. Ka përplasje të ashpra mes policisë dhe protestuesve, që të krijojnë idenë e një skene lufte.

Protesta e sotme ka qenë mjaft e dhunshme, me protestuesit që prej orësh tashmë nuk kanë ndalur sulmet me molotovë, gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë.

24/10/2026 17:44- Protestuesit hedhin molotovë në drejtim të efektivëve, polici merr flakë

Protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve të Policisë gjatë protestës në Tiranë.

Si pasojë, një efektiv ka marrë flakë, teksa policia ka rendur ta ndihmojë për t’i shuar flakët.

Lajmi i plotë

24/10/2026 17:15- Autoboti përparon drejt protestuesve në sheshin “Skënderbej”

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me forca të Policisë së Shtetit, kryesisht të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar.

Një autobot ujëhedhës po përparon në drejtim të turmës së protestuesve të mbledhur pranë lulishtes në sheshin “Skënderbej”. Policia po përdor ujë me presion ndaj protestuesve, ndërsa në bulevard shihen gurët e hedhur gjatë përplasjeve dhe bombolat e gazit lotsjellës të përdorura nga efektivët.

Lajmi i plotë

24/10/2026 16:42- Protestuesit i vënë flakën Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri

Protestuesit i kanë vënë flakën një prej hyrjeve të godinës së Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë.

Si pasojë, është djegur dera e një prej hyrjeve të institucionit. Pas pak minutash flakët u arritën të shuheshin.

Lajmi i plotë

24/10/2026 16:27- Ofensiva e policisë, efektivët përgjigjen me ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome

Dy autobotë ujëhedhës janë pozicionuar para Ministrisë së Arsimit.

Policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë me presion, gaz lotsjellës madje ka gjuajtur edhe me plumba gome, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit.

24/10/2026 15:49- Protestuesit përplasen me policinë pranë Parkut Rinia, re të dendura tymi të gazit lotsjellës mbulojnë zonën

Protestuesit përplasen me policinë pranë Parkut Rinia, re të dendura tymi të gazit lotsjellës mbulojnë zonën

Rreth orës 15:30, një përplasje e madhe është shënuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit e vendosur pranë Parkut Rinia kanë nisur të qëllojnë me gurë drejt autobotëve me ujë dhe efektivëve të policisë.

Në kundërpërgjigje, policia ka përdorur një sasi të madhe gazi lotsjellës.

Bulevardi është mbuluar nga retë e tymit. Po ashtu një i ri ka arritur të shkojë pranë autobotit dhe është kapur në të, duke mos hequr dorë edhe pas hedhjes së ujit dhe gazit lotsjellës.

24/10/2026 15:15- Situatë e tensionuar në Tiranë, protestuesit hedhin gurë - Policia kundërpërgjigjet me ujë e gaz lotsjellës


Situatë e tensionuar është aktualisht në protestën në Tiranë, ku protestuesit po hedhin gurë në drejtim të objekteve, gjersa Policia është kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës.

Përveç studentëve, sot në protestë janë edhe anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të cilët janë mbledhur nga ora 12:00.

Derisa PD është mbledhur nga ora 12:00, grumbullimi i studentëve ka nisur në ora 14:00.

24/10/2026 14:55- “Ja edhe mëma e dhunës”, Rama: PD pasi shkatërroi me maskat e “studentëve”, doli sot për të drejtën e autorit të terrorit urban

Foto: LSA

Partia Demokratike ka thirrur sot protestë në ora 12:00, gjersa gjatë tubimit të tyre u dogjën edhe ulëset e vendosura nga kryeministri Rama, në të cilat u vendos ftesa për dialog.

“Ja edhe mëma e dhunës, Partia Demokratike, që pasi dogji e shkatërroi me maskat e kinse ‘studentëve’ bashkë me ANTIFAN e me dhunuesit e tjerë të Tiranës, doli sot për të drejtën e autorit të terrorit urban…”, shkruan Rama.

24/10/2026 14:32- Protestuesit i vënë flakën shportave të mbeturinave pranë hyrjes së Ministrisë së Arsimit

Protestuesit me të filluar protesta e orës 14:00 e paralajmëruar nga studentët i kanë vënë flakën koshit të mbeturinave pranë hyrjes së Ministrisë së Arsimit.

Aktualisht situata është e qetë dhe vërehet prani e protestuesve, veshur me bluzë të bardhë.

24/10/2026 14:15- Studentët nisin marshimin drejt Ministrisë së Arsimit


Studentët kanë nisur marshimin drejt Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në ditën e 12-të të protestave kundër qeverisë.

Tubimi para Ministrisë së Arsimit ishte paralajmëruar për orën 14:00, ndërsa studentët vijojnë mobilizimin për të bërë të dëgjueshme kërkesat e tyre.

Marshimi vjen pas protestës së opozitës para Kryeministrisë, ku mbështetës të Partisë Demokratike zhvilluan tubimin e tyre në shenjë kundërshtimi ndaj qeverisë dhe në mbështetje të studentëve.

24/10/2026 13:36- “Qeveria e krimit”, protestuesit e PD-së u vënë flakën “ulëseve” të dialogut para Kryeministrisë


Pasi ka filluar protesta para Kryeministrisë e thirrur nga mbështetës të Partisë Demokratike, simpatizantët e kësaj partie ua kanë vënë flakën ulëseve që kryeministri Edi Rama kishte vendosur këtë të shtunë, e ku ishin vendosura ftesat për dialogun me studentët.

Ndërkohë, në sfond dëgjohen thirrjet e protestuesve: “Qeveria e Krimit”, "Jep dorëheqjen".

24/10/2026 12:35- Në krye të protestës së PD-së Noka, Balliu dhe Gjekmarkaj

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk i është bashkuar sot protestës në Tiranë, që është thirrur në ora 12:00 nga PD-ja.

Në krye të protestuesve janë drejtues të tjerë të Partisë Demokratike, mes tyre Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Agron Gjekmarkaj.

Ndërkaq, nga ora 14:00 studentët kanë paralajmëruar protestën e radhës.

24/10/2026 12:23- "Nuk do të marrë pjesë në protestën kombëtare", Berisha: E gjithë Shqipëria është në Tiranë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pyetur këtë të shtunë nëse do të marrë pjesë fizikisht në protestën kombëtare apo do ta ndjekë atë nga zyra e tij, nënkuptoi se nuk do të jetë i pranishëm në tubim.

Përmes një deklarate për mediat duke u futur në selinë e PD, Berisha theksoi se sot e gjithë Shqipëria ndodhet në Tiranë në mbështetje të revoltës rinore e studentore.

Lajmi i plotë këtu:

24/10/2026 12:22- “Do të dalin para drejtësisë”, ministri Demo për protestuesit e dhunshëm: Po përdorim teknologjinë për t’i identifikuar të gjithë

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, u shpreh ditën e sotme se Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë protestuesve që kanë ushtruar dhunë mbi policinë, pronën private dhe publike.

Në një deklaratë për mediat, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Demo tha se ka një serë burimesh informacionesh që po merren në shqyrtim për të hetuar personat e dhunshëm.

Lajmi i plotë këtu:

24/10/2026 11:54- Rama: Protestat e dhunshme, pas tyre duart e huaja dhe krimi i organizuar - qëllim destabilizimi i vendit

Kryeministri Edi Rama ka dalë mëngjesin e sotëm në një komunikatë për mediat së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, për të folur për protestën.

Sipas kreut të qeverisë, qëllimi i protestave është destabilizimi i vendit, ndërsa pranon se ka një sërë problematikash që duhen adresuar.

Lajmi i plotë këtu:

24/10/2026 11:32- 1500 efektivë policie në terren për protestat, autobotet me ujë vendosen pranë Kryeministrisë

Rreth 1500 efektivë policie janë dislokuar në terren për mbarëvajtjen e protestës e lajmëruar nga PD që pritet të nisë në orën 12:00. Rreth Kryeministrisë janë vendosur edhe disa autobote me ujë që pritet të përdoren kundër protestuesve nëse do të ketë akte dhune.

Rreth orës 14:00 pritet të nisë edhe protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, të cilëve do t’u bashkohen edhe pedagogët.

24/10/2026 10:31- Hetim për veprimet e policisë - 12 eurodeputetë letër Kaja Kallas për protestat, mes nënshkruesve edhe Beleri


Protestat në Shqipëri dhe veprimet e policisë gjatë tubimeve kanë mbërritur në vëmendjen e Parlamentit Evropian.

Dymbëdhjetë eurodeputetë, pjesa më e madhe të grupimit të djathtë të Partisë Popullore Evropiane (PPE), i janë drejtuar me pyetje Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

Mes nënshkruesve është edhe euro-deputeti Fredi Beleri, shkruan tch.

24/10/2026 10:02- Rreth 500 demokratë nga juglindja pritet t’i bashkohen protestës kombëtare të PD-së në Tiranë

Foto: Ilustrim

Rreth 500 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike nga gjashtë qytetet e juglindjes, Korça, Pogradeci, Maliqi, Devolli, Kolonja dhe Pusteci, pritet të marrin pjesë sot në protestën kombëtare përpara Kryeministrisë.

Mediat në Shqipëri raportojnë se demokratët do të udhëtojnë drejt Tiranës me automjetet e tyre private dhe jo në mënyrë të organizuar.

24/10/2026 08:32- Rama sërish kërkon dialog


Kryeministri i Shqipëri, Edi Rama sot më 24 tetor, kur është paralajmëruar një protestë masive në Tiranë ka publikuar një video, përmes së cilës sërish kërkon dialog.

Rama për disa ditë me radhë, po kërkon dialog, gjersa po refuzohet nga studentët.

Protesta në Shqipëri po hyn në ditën e 12-të, shoqëruar ditët e kaluara me përleshje mes policisë dhe studentëve.

24/10/2026 08:28- Dita e 12-të e protestës së studentëve, tubime para Kryeministrisë e Ministrisë së Arsimit

Këtë të shtunë, më 24 tetor do të mbahet protesta e radhës studentore, e cila shënon ditën e saj të 12-të. Ashtu siç është njoftuar një ditë më parë, protesta pritet të nisë në orën 11:00 përpara Kryeministrisë.

Ndërkohë, në këtë tubim pritet të marrin pjesë të rinj, studentë, si dhe figura të artit dhe muzikës. Një tjetër tubim i të rinjve do të mbahet në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ku pritet që studentëve t’u bashkohen edhe pedagogët.

Sakaq, po këtë të shtunë, Partia Demokratike ka thirrur protestën e saj kombëtare, e cila pritet të nisë në orën 12:00, në shenjë solidariteti me studentët dhe të rinjtë