Tech

Spotify lançon abonimet për podkastet, krijuesit do të mbajnë…

Spotify ka nisur shpërndarjen e funksionit të ri “Memberships”, i cili u mundëson krijuesve të podkasteve të ofrojnë përmbajtje ekskluzive kundrejt një pagese mujore. Funksioni po prezantohet në 34 tregje dhe zëvendëson sistemin e abonimeve për podkastet që platforma kishte lansuar në vitin 2021.

Përmes këtij shërbimi, krijuesit mund të vendosin vetë se çfarë përfitimesh do t’u ofrojnë anëtarëve me pagesë. Këto mund të përfshijnë episode audio ose video ekskluzive, përmbajtje shtesë, më pak reklama, qasje të hershme në episodet e reja apo mundësi për të dëgjuar arkivin e plotë të një emisioni.

Krijuesit mund t’i ndajnë përfitimet në deri në tri nivele abonimi, secili me çmimin e vet. Spotify nuk do t’i përcaktojë çmimet, por në shembujt e publikuar nga kompania paraqitet një abonim prej 4.99 dollarësh në muaj, me një periudhë prove falas prej shtatë ditësh.