35 vende janë bashkuar në Koalicionin Evropian kundër Drogave (ECAD), një nismë e promovuar nga Italia dhe Franca për të forcuar luftën kundër narkotrafikut, për të goditur financat e organizatave kriminale dhe për të parandaluar varësitë. Takimi u zhvillua në komunitetin San Patrignano, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë dhe ekspertëve.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kërkoi që autoritetet të mos ndalen te arrestimi i trafikantëve, por të gjurmojnë dhe të sekuestrojnë edhe pasuritë e tyre. Ajo vuri theksin te bashkëpunimi financiar ndërkombëtar, përfshirë gjurmimin e transaksioneve me kriptomonedha, duke rikujtuar parimin “follow the money” (ndiq paratë).
Meloni tha se rreth 80 për qind e drogës që hyn ilegalisht në Evropë kalon përmes rrugëve detare, ndaj kërkoi koordinim më të madh për kontrollin e porteve dhe rrugëve të trafikimit. Ajo paralajmëroi gjithashtu për rritjen e fuqisë së substancave sintetike, shfaqjen e molekulave të reja dhe uljen e moshës së fillimit të konsumit.
Kryeministrja bëri të ditur se Italia ka lëvruar më shumë se 210 milionë euro për vitin 2026 për sistemin kombëtar të luftës kundër varësive. Ajo përmendi gjithashtu forcimin e sistemit të alarmit të shpejtë dhe masat kundër fentanilit dhe opioideve sintetike.
“Droga të bën skllav dhe skllevërit nuk janë të lirë”, ishte mesazhi i Melonit, e cila theksoi se goditja e trafikantëve duhet të shoqërohet me parandalim, trajtim dhe mundësi rikuperimi për personat e prekur nga varësia.
Presidenti italian Sergio Mattarella nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e cilësuar trafikun e drogës një sfidë që prek sigurinë, shëndetin publik dhe kohezionin shoqëror. Në mesazhin e tij, ai vlerësoi edhe punën e komuniteteve terapeutike, të cilat ndihmojnë personat me varësi të rikthehen në jetën shoqërore.
Franca, bashkëthemeluese e koalicionit, dhe institucionet evropiane janë pjesë e përpjekjes për të koordinuar politikat kundër narkotrafikut. Në takim ishin ftuar 47 delegacione, me objektivin kryesor përcaktimin e angazhimeve të përbashkëta për vijimin e punës së ECAD-it. Ai u mbajt në San Patrignano, pranë Riminit, në një qendër të themeluar në vitin 1978, e njohur për programet e rehabilitimit dhe riintegrimit të personave që përballen me varësinë.
Takimi synoi të bashkojë dy drejtime të luftës kundër drogës: dobësimin financiar të organizatave kriminale dhe mbështetjen për njerëzit që përpiqen të kapërcejnë varësinë.
Mes flamujve të vendeve të pranishme në takimin e Koalicionit Evropian kundër Drogave në San Patrignano ishte edhe flamuri shqiptar, duke dëshmuar kështu praninë e Shqipërisë në këtë nismë evropiane./A. Kepi
© SYRI.net