Tuesday / November 3 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Kuriozitete Life Style

96% e ekosistemeve të shkëmbinjve koralorë rrezikojnë të zhduken deri në vitin 2075

Share Share Icon
Pothuajse të gjitha ekosistemet e shkëmbinjve koralorë në botë përballen me rrezik të lartë kolapsi gjatë 50 viteve të ardhshme, kryesisht për shkak të ngrohjes së oqeaneve dhe valëve të të nxehtit, sipas një vlerësimi global të publikuar të enjten.

 

Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) njoftoi, në kuadër të konferencës së OKB-së për biodiversitetin që po zhvillohet në Shqipëri, se 96% e ekosistemeve të shkëmbinjve koralorë në ujëra të cekëta janë tashmë në rrezik kritik dhe mund të zhduken deri në vitin 2075.

Shkëmbinjtë koralorë janë jetikë për peshkimin dhe turizmin, ndërsa mbrojnë brigjet nga erozioni dhe stuhitë. Të njohur edhe si “pyjet tropikale të detit”, ata strehojnë një të katërtën e specieve detare dhe mbështesin komunitetet dhe bizneset bregdetare.

Ndër ekosistemet e klasifikuara në rrezik kritik janë edhe disa nga më të njohurat në botë: Barriera e Madhe Koralore në Australi, Trekëndëshi Koralor në Paqësorin Perëndimor dhe Azinë Juglindore, sistemi i barrierës koralore mesoamerikane dhe shkëmbinjtë koralorë të Detit të Kuq.

“Rreziku i kolapsit po përshkallëzohet, por ky duhet të jetë një alarm për veprim, jo shkak për dëshpërim”, deklaroi Mishal Gudka, drejtuesi shkencor i vlerësimit të parë global të Listës së Kuqe të IUCN-së për ekosistemet koralore.

Sipas tij, koralet kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme për t’u rimëkëmbur pas episodeve shkatërrimtare të zbardhjes, ndaj zonat më rezistente mund të mbijetojnë nëse mbrohen.

Kur një ekosistem koralor shembet, koralet e forta zhduken dhe zëvendësohen nga algat, mbetjet shkëmbore dhe sfungjerët. Kjo sjell humbjen e habitatit për shumë specie, nga jovertebrorët e vegjël te peshqit.

Vlerësimi mbulon 127 ekorajone tropikale dhe subtropikale, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 188 362 kilometrash katrorë shkëmbinjsh koralorë. Ndryshimet klimatike identifikohen si kërcënimi më i vazhdueshëm për përkeqësimin e gjendjes së tyre në mbarë botën.

Një studim tjetër i IUCN-së, i botuar një javë më parë në revistën “Nature”, tregoi se gati 44% e specieve të koraleve që ndërtojnë shkëmbinj nënujorë përballen me rrezik të shtuar zhdukjeje. Ndërkohë, të dhënat e publikuara një vit më parë treguan se zbardhja e dëmshme kishte prekur 84% të shkëmbinjve koralorë të oqeaneve, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Viti 2024 ishte më i nxehti i regjistruar në planet. Temperatura mesatare vjetore e sipërfaqes së oqeaneve jashtë rajoneve polare arriti rekordin 20,87 gradë Celsius.

Përveç uljes së emetimeve globale, ekspertët kërkojnë kufizimin e ndotjes, mbipeshkimit dhe ndërtimeve në brigje.

Drejtoresha e përgjithshme e IUCN-së, Grethel Aguilar, bëri thirrje për mbrojtje dhe restaurim më të fortë, si dhe investime të qëndrueshme në ekosistemet bregdetare. Andrew Baker, nga Universiteti i Miamit, theksoi se teknologjitë e reja dhe metodat novatore të restaurimit mund t’u japin koraleve kohën e nevojshme për të mbijetuar. / AP

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Fytyra e re e tregut të veshjeve  

Tregu i retail-it të veshjeve në Shqipëri po ndryshon gradualisht “fytyrë”. Konsumatori vendas po kërkon më shumë vlerë për paratë që shpenzon për ...

3 days më parë 16 Min Lexim

Turizmi nuk është më vetëm sezonal, po zgjeron bazën e blerësve të retail-it të veshjeve

Flet Mehmet Memo, Menaxher i LC Waikiki për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut   Për menaxherin e LC Waikiki për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut...

3 days më parë 6 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!