Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Fuqizimi i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në tentativën e radhës

qeveria

Shteti synon që Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ta çojë në një nivel tjetër, si për nga rangimi institucional, ashtu edhe për nga kompetencat

Foto: Driton Paçarada

 Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar për herë të dytë Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Kësisoj, ekzekutivi ka “reprizuar” votimin e kabinetit qeveritar të prillit të këtij viti, në mënyrë që Projektligji t’i përcillet Kuvendit të Kosovës për procedurat e mëtejshme. Meqenëse zgjedhjet e fundit janë mbajtur në qershor të këtij viti dhe, proceduralisht, Qeveria duhet t’ia përcjellë sërish Kuvendit këtë Projektligj, tashmë i është hapur rruga Kuvendit që ta çojë përpara miratimin e këtij akti ligjor.

“Me këtë Projektligj themelohet Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore, i cili do të forcojë mbrojtjen e monumenteve dhe pasurive që dëshmojnë historinë dhe identitetin e vendit tonë. Inspektorati do të ketë përgjegjësi të ndërhyjë aty ku trashëgimia rrezikohet, të ndalojë menjëherë punimet e paautorizuara dhe të marrë masa ndaj ndërhyrjeve që e dëmtojnë atë, përfshirë restaurimet që nuk respektojnë standardet”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka propozuar miratimin e Projektligjit.

Ndërkaq, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se me këtë hap fuqizohet Inspektorati për Trashëgimi Kulturore.

“Ky mekanizëm institucional, në koordinim me organet lokale e qendrore, do të mundësojë inspektimet krahas mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, ka thënë ajo. Sipas saj, ky është një hap drejt një sistemi më funksional të mbikëqyrjes dhe koordinimit institucional, në shërbim të ruajtjes së monumenteve dhe aseteve tona kulturore.

Shteti synon që Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ta çojë në një nivel tjetër, si për nga rangimi institucional, ashtu edhe për nga kompetencat. Në zbatim të përcaktimeve të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, të miratuar më 2006, Ministria e Kulturës e ka themeluar Inspektoratin në shkurt të vitit 2018. Inspektorati, me seli në Prishtinë, vazhdon të ketë kompetenca për inspektimin e ligjshmërisë së ndërhyrjeve në asetet e trashëgimisë kulturore. Ai ndalon punimet që, pa leje, ndërhyjnë në zonat e mbrojtura ose në perimetrin e monumenteve, si dhe punimet që nuk u përmbahen lejeve të lëshuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Edhe Projektligji rrit dhe fuqizon Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore Kulturë Projektligji rrit dhe fuqizon Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore

Por, me Projektligjin e ri, situata do të ndryshojë. Nëse Kuvendi i Kosovës e miraton Projektligjin në versionin që i është dërguar, Inspektorati pritet të ketë degë edhe në qytete të tjera, si dhe kompetenca për inspektimin e lejeve të lëshuara nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Projektligji, i hartuar qysh më 2024, përcakton se IQTK-ja themelohet si agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë, ushtron juridiksionin në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe organizohet në nivel qendror dhe në degë lokale. Sipas Projektligjit, degët lokale të IQTK-së mund të përfshijnë territorin e një ose më shumë komunave. Nuk përcaktohet saktësisht se si do të organizohen degët, në kuadër të rajoneve apo të komunave.

IQTK-ja është përgjegjëse për kontrollin dhe vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe, sipas nevojës, ndërmerr masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj.
Detyrë parësore e Inspektoratit mbetet mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore. Agjencia do të ketë mandat për ndalimin e menjëhershëm të çdo lloj pune të paautorizuar në asetet e trashëgimisë kulturore, për të urdhëruar ndalimin e punimeve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre, si dhe për të ndërmarrë veprime konkrete ndaj personave përgjegjës në rastet e punimeve të paautorizuara që dëmtojnë asetet e trashëgimisë kulturore. Në raste të tilla, mund të iniciojë procedura kundërvajtëse apo penale ndaj personave që kanë dëmtuar ose shkatërruar asetet e trashëgimisë kulturore.

Neni 6 i Projektligjit, ku flitet për inspektimin e akteve për zhvillime ndërtimore dhe zhvillime të tjera brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, zgjeron kompetencat e Inspektoratit aktual.
“IQTK mund të inspektojë nxjerrjen e akteve me të cilat lejohen ndërhyrje ndërtimore dhe zhvillime të tjera brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, nëse për të njëjtat janë respektuar procedurat sipas dispozitave të ligjeve në fuqi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në pikën e parë të këtij neni. Ndërkaq, pika e dytë sqaron se, nëse konstatohet se leja është lëshuar në shpërputhje me dispozitat ligjore në fuqi, “IQTK nxjerr vendim me të cilin e obligon nëpunësin e organit kompetent që të pezullojë apo të shfuqizojë lejen përkatëse brenda afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor”.
“Mosrespektimi i vendimit si në paragrafin 2 të këtij neni, përbën shkak për inicim të procedurës penale dhe/apo kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës”, shkruhet në pikën e tretë.

Sa i përket organizimit të brendshëm të Agjencisë, është përcaktuar që ai të rregullohet me një akt nënligjor.

IQTK-ja do të udhëhiqet nga drejtori ekzekutiv, i cili njëkohësisht do të jetë kryeinspektor i këtij Inspektorati. Drejtori do të ketë statusin e nëpunësit civil të nivelit të lartë drejtues, sipas ligjit përkatës për zyrtarët publikë. Përzgjedhja dhe emërimi i drejtorit ekzekutiv të IQTK-së do të bëhen në pajtim me rregullat e përcaktuara për kategorinë e lartë drejtuese të nëpunësve civilë, sipas legjislacionit përkatës për zyrtarët publikë.

“Nga hyrja në fuqi e këtij ligji, ministri ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për përzgjedhjen e drejtorit ekzekutiv të IQTK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi”, përcakton Projektligji.

Edhe Inspektorati ndërpret punimet para Bibliotekës, Komuna obligohet të kërkojë leje Kulturë Inspektorati ndërpret punimet para Bibliotekës, Komuna obligohet të kërkojë leje

Ndërsa mbikëqyrjen e punës së Inspektoratit e bën Ministria e Kulturës, Projektligji, i cili përmban 13 nene, përcakton se deri në hyrjen në fuqi të akteve nënligjore që burojnë prej tij, zbatohet Rregullorja përkatëse për kompetencat, autorizimet dhe procedurat e inspektimit dhe ankesave të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.

Kur u themelua Inspektorati më 2018, në periudhën kur Ministria e Kulturës udhëhiqej nga ministri Kujtim Gashi, ITK-ja nisi punën me dy inspektorë, Labëri Dakaj dhe Pajtim Zogaj. Ata vazhdojnë të jenë të vetmit inspektorë që kanë nën mbikëqyrje të gjitha komunat e vendit, ndonëse kohë pas kohe ka pasur edhe një inspektor të tretë, por jo për një periudhë të gjatë.

Lexo përditësimet tjera
kabineti

Qeveria formon grup punues për strategji shtetërore për Apelin ndaj katërshes së UÇK-së

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur për formimin e grupit punues për...