
Jose Mourinho ka reaguar ndaj zërave për një largim të mundshëm të sulmuesit brazilian Endrick gjatë merkatos së janarit, duke konfirmuar se llogarit te talenti i ri dhe nuk ka ndërmend ta lejojë të largohet në formë huazimi.
Në një intervistë për TNT Sports, trajneri portugez u dërgoi një mesazh të qartë klubeve që interesohen për shërbimet e brazilianit.
“Endrick? Harrojeni, harrojeni! Harrojini klubet e interesuara. Është më mirë të ulen dhe të presin, përndryshe do të lodhen kot”, deklaroi Mourinho.
Tekniku shprehu vlerësimin e madh për sulmuesin, duke theksuar se beson fort te potenciali i tij dhe se e konsideron një lojtar të rëndësishëm për skuadrën.
“Është një lojtar që e adhuroj. Besoj se ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe është shumë i rëndësishëm për ne”, u shpreh ai.
Mourinho shpjegoi gjithashtu se dëmtimi pas fazës përgatitore, që e mbajti Endrickun jashtë fushave për katër deri në pesë javë, ndikoi në mungesën e minutave në fillim të sezonit.
Trajneri zbuloi se sulmuesi ishte pranë aktivizimit në ndeshjen kundër Villarrealit, por goli i shënuar dhe më pas kartoni i kuq e detyruan të ndryshonte planet.
Në fund, Mourinho ishte kategorik: “Çdo klub që e dëshiron do të duhet të luftojë shumë me mua. Besoj se ai nuk ka nevojë të largohet në huazim dhe se do të arrijë sukses të madh këtu.”