“E përzunë si një copë mbeturine”, ish-lojtari i njohur shpërthen ndaj Real Madridit për Xabi Alonson
Medhi Benatia ka kritikuar ashpër mënyrën se si Real Madridi u nda nga Xabi Alonso, duke argumentuar se në futbollin modern lojtarët kanë fituar shumë pushtet dhe shpesh trajnerët paguajnë çmimin për problemet brenda skuadrës.
Duke folur në televizionin francez Canal+, ish-drejtori sportiv i Marseille tha se për klubet është shumë më e lehtë të shkarkojnë një trajner sesa të përballen me 15 futbollistë.
Benatia mori si shembull largimin e Alonsos nga Real Madridi, duke e cilësuar mënyrën se si u trajtua trajneri spanjoll si të papranueshme.
“Kam pasur rastin të luaj me të. Nuk ka shumë skuadra që e kanë dominuar Bayern Munichun ashtu siç bëri ai me Bayer Leverkusenin. E pabesueshme! Real Madridi e përzuri sikur të ishte një copë mbeturine”, deklaroi Benatia.

Alonso u largua nga posti i trajnerit të Real Madridit në janar të vitit 2026, me marrëveshje të përbashkët, pas më pak se tetë muajsh në krye të skuadrës.
Megjithatë, karriera e tij si trajner vazhdoi në Angli. Në muajin maj, ai u emërua trajner i Chelseat, duke nënshkruar kontratë katërvjeçare./Telegrafi/

































