Ish-kryeministri dhe ish-deputeti socialist, Pandeli Majko, mësohet të ketë bërë një deklaratë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të zhvilluar këtë të shtunë, duke paralajmëruar për ekzistencën e rreth 1 mijë orëve filmime me përmbajtje erotike dhe korruptive, ku pretendohet se shfaqen eksponentë të PS-së.
Sipas burimeve të Gazetës Panorama, Majko ka deklaruar se disponon informacion për këto materiale dhe u ka bërë thirrje personave që mund të jenë të përfshirë në to të japin dorëheqjen përpara se pamjet të bëhen publike.
“Kam informacion se në 1 mijë orë filmime ka eksponentë të PS-së në video erotike dhe korruptive. Mirë është të jepni dorëheqjen para se të dalin. Mos e vini në siklet partinë dhe kolegët”, mësohet të jetë shprehur Majko.
Majko ndoshta ka parasysh ndër të tjera videot tek zyra e Agasit një tjetër ‘socialist’ i kujdesshëm.
Majko, sipas raportimit, u ka kërkuar personave të përfshirë që të largohen nga funksionet që mbajnë përpara një publikimi të mundshëm të këtyre materialeve.m.k





