Vendosni fjalën kyçe....

Kosova ndalet në barazim pa gola ndaj Izraelit


Kosova dhe Izraeli kanë barazuar 0:0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B3 të Ligës B në Ligën e Kombeve.

“Dardanët” kanë qenë skuadra dominuese në dyzet e pesë minutat e para, si në posedimin e topit, ashtu edhe në krijimin e rasteve për shënim.

Skuadra e drejtuar nga Franco Foda ka qenë tri herë shumë pranë golit. Fillimisht, Edon Zhegrova e ka provuar me një goditje që ka kaluar pranë shtyllës.

Më pas, Vedat Muriqi nuk ka arritur ta godasë siç duhet topin me kokë, edhe pse ndodhej shumë pranë portës.

Rasti më i mirë për Kosovën ka ardhur në fund të pjesës së parë, kur Kamberi e ka goditur shtyllën.

Në anën tjetër, Izraeli nuk ka arritur të krijojë ndonjë rast të pastër shënimi, shkruan RTK.

Në pjesën e dyt, sërish Edon Zhegrova ka qenë pranë realizimit, kur goditja e tij ka kaluar fare pranë shtyllës së djathtë.

Ndërkohë, Veldin Hoxha është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe është përjashtuar nga loja, duke e lënë Kosovën me dhjetë futbollistë.

Në minutën e tetëdhjetë e tetë, Izraeli ka rrezikuar me Omri Gandelman, por portieri i Kosovës ka reaguar mirë.

Dy minuta më vonë, Baton Zabërgja ka qenë pranë golit për Kosovën, por portieri Daniel Peretz ka bërë një pritje të mirë. 

Pas kësaj ndeshje, Kosova ka gjashtë pikë dhe renditet në vendin e dytë, ndërsa Izraeli është i fundit me tri pikë.

Grupi kryesohet nga Austria me tetë pikë, kurse Republika e Irlandës renditet e treta me pesë pikë. Austria dhe Irlanda përballen sonte në ndeshjen tjetër të këtij grupi.