Pesë personat nën hetim për tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Povelçës dolën këtë të shtunë para gjykatës së Fierit. Prokuroria e Fierit kërkoi “arrest në burg” për Dilaver Shytin, Arben Vojën, Fjorelo Bidën dhe noteren Anila Haxhiu. Ndërsa për Arbina Jaupajn detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore dhe ndalim i daljes jashtë shtetit. Gjykata la në fuqi katër kërkesa të prokurorisë dhe ndryshoi vetëm atë për Fjorelo Bidën, të cilit nga arrest me burg i caktoi ndalim i daljes jashtë shtetit dhe detyrim paraqitje në policinë gjyqësore. Pesë personat akuzohen se përmes falsifikimit të dokumentave kanë tjetërsuar 44 mijë metër katrorë tokë shtetërore dhe në këmbim të përfitimit të mijëra eurove e kanë transferuar këtë pronë te privatët.