Saturday / November 14 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Rajoni Western Balkans Monitor

Kapitali shqiptar në Maqedoninë e Veriut u ngrit nga zero, tani duhet të konkurrojë në tregun e BE

Share Share Icon

Intervistë me Xhemail Dauti, sipërmarrës në Maqedoninë e Veriut dhe Kryetar Nderi i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP)

 

Nga një kompani familjare e themeluar në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, Xhemail Dauti ndërtoi një biznes me prani rajonale. Sipërmarrësi nga Shkupi thotë se kompanitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilat sipas tij u lanë jashtë procesit të privatizimit të pronës shoqërore, janë shndërruar në një faktor të rëndësishëm ekonomik. Por ai paralajmëron se rritja aktuale ekonomike është e pamjaftueshme dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i kapërcejnë kufijtë ekonomikë për të konkurruar në Europë.

 

Kur Xhemail Dauti dhe tre vëllezërit e tij themeluan kompaninë Dauti-Komerc më 29 maj 1990, Jugosllavia ende ekzistonte, por sistemi ekonomik mbi të cilin ishte ndërtuar po hynte në një periudhë ndryshimesh rrënjësore.

Ekonomia e planifikuar po i lëshonte vendin tregut, ndërsa privatizimi i pronës shoqërore do të përcaktonte për dekada strukturën e kapitalit privat në shtetet që do të lindnin nga federata jugosllave.

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sipas z. Dauti, ky tranzicion nuk ishte një proces me mundësi të barabarta. Ai vlerëson se modeli i privatizimit favorizoi vazhdimësinë e ndërmarrjeve ekzistuese, ndërsa sipërmarrësit shqiptarë u detyruan të krijonin bizneset e tyre nga e para, kryesisht përmes tregtisë, shërbimeve dhe investimeve familjare. Edhe z. Dauti ishte një prej tyre.

Por ai nuk e kufizoi aktivitetin vetëm në drejtimin e kompanisë.

Në vitin 2004, z. Dauti inicioi themelimin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), duke u bërë kryetari i saj i parë.

Sot, si drejtues i kompanisë Dauti-Komerc dhe Kryetar Nderi i OEMVP-së, ai mbetet një zë me përvojë në debatet për politikat ekonomike, konkurrencën dhe integrimin rajonal.

Në këtë intervistë për revistën “Monitor”, z. Dauti vlerëson se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë potencial për një rritje shumë më të shpejtë, por vazhdojnë të pengohen nga politika të pamjaftueshme zhvillimore dhe barriera ndërmjet tregjeve.

Sipas tij, e ardhmja e kapitalit shqiptar nuk qëndron vetëm te fuqizimi i kompanive individuale, por edhe te konsorciumet, ndërmarrjet e përbashkëta dhe investimet që synojnë tregjet europiane.

 

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, por vendi vazhdon të përballet me sfida strukturore. Si e vlerësoni ecurinë ekonomike dhe sa reflektohet kjo rritje në mirëqenien e qytetarëve?

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut nuk dallon shumë nga ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kemi një rritje ekonomike krahasuar me vitin e kaluar, por mendoj se ritmi i saj mbetet i pamjaftueshëm për të prodhuar ndryshime të ndjeshme në standardin jetësor të qytetarëve.

Pra, kur flasim për rritjen ekonomike, nuk duhet të kënaqemi vetëm me faktin se treguesit janë pozitivë. Duhet të pyesim nëse kjo rritje krijon vende të reja pune, nëse rrit fuqinë blerëse, nëse përmirëson produktivitetin dhe nëse qytetarët e ndiejnë konkretisht në jetën e tyre.

Mendoj se Maqedonia e Veriut, ashtu si edhe vendet e tjera të rajonit, duhet të synojë politika ekonomike shumë më ambicioze, të orientuara drejt një rritjeje dyshifrore të Prodhimit Vendor Bruto (BPV). Kjo është një ambicie e madhe dhe jo e lehtë për t’u realizuar, por besoj se rajoni disponon përparësi komparative që nuk janë shfrytëzuar sa duhet.

Kemi pozitë të favorshme gjeografike, burime natyrore, traditë tregtare, potencial turistik dhe një sektor privat që ka treguar aftësi për t’u përshtatur edhe në rrethana të vështira. Problemi nuk është vetëm mungesa e potencialit, por mënyra se si e shfrytëzojmë atë.

Për të përshpejtuar zhvillimin, na duhen politika më të guximshme për investimet, mbështetje për sektorët prodhues, infrastrukturë më e mirë dhe një administratë që u përgjigjet nevojave të ekonomisë. Një rritje modeste mund të ruajë stabilitetin, por nuk është e mjaftueshme për ta zvogëluar shpejt hendekun ekonomik me vendet e Bashkimit Europian.

 

Cilët sektorë po tregojnë potencialin më të madh të zhvillimit dhe ku i shihni sfidat kryesore për bizneset?

Sektorët që aktualisht po tregojnë dinamizëm më të madh janë ndërtimtaria, tregtia, turizmi, shërbimet terciare dhe, pjesërisht, industria.

Këta sektorë kanë shënuar zhvillim të konsiderueshëm dhe kanë tërhequr investime private, duke krijuar vende pune dhe duke kontribuar në aktivitetin ekonomik. Megjithatë, nuk duhet të ngatërrojmë rritjen e një sektori me shfrytëzimin e plotë të potencialit ekonomik të vendit.

Një shembull domethënës është bujqësia dhe blegtoria. Maqedonia e Veriut ka përparësi komparative në këta sektorë. Kushtet natyrore, tradita bujqësore dhe pozita gjeografike mundësojnë zhvillimin e prodhimit dhe eksportit të produkteve agroushqimore. Megjithatë, potenciali mbetet kryesisht i pashfrytëzuar.

Për mendimin tim, shkaku kryesor qëndron te politikat joadekuate zhvillimore, të cilat nuk janë harmonizuar sa duhet me modelet dhe praktikat bashkëkohore ndërkombëtare. Nevojitet një qasje që e trajton bujqësinë jo vetëm si aktivitet tradicional, por si pjesë të një industrie moderne.

Kjo nënkupton investime në teknologji, përpunim, magazinim, standardizim, paketim dhe sisteme të organizuara të furnizimit. Nuk mjafton të prodhosh fruta apo perime. Duhet të kesh kapacitet për t’i ruajtur, për t’i përpunuar, për t’i transportuar dhe për t’i shitur në tregje ku mund të realizosh vlerë më të lartë. Pikërisht këtu mund të krijohen lidhje më të forta ndërmjet bujqësisë, industrisë përpunuese dhe tregtisë.

 

Ju keni qenë pjesë e zhvillimit të sipërmarrjes shqiptare që nga fillimi i tranzicionit ekonomik. Çfarë peshe kanë sot bizneset me kapital shqiptar në ekonominë e Maqedonisë së Veriut dhe si e shpjegoni zhvillimin e tyre?

Për ta kuptuar pozitën e sotme të kapitalit shqiptar, duhet të kthehemi në fillim të viteve 1990, kur Maqedonia e Veriut u pavarësua nga ish-Jugosllavia dhe nisi privatizimi i pronës shoqërore. Bizneset shqiptare, në pjesën dërrmuese, janë krijuar si ndërmarrje private nga e para, pa trashëguar asetet e ndërmarrjeve shoqërore që ekzistonin në sistemin e mëparshëm.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, sipas vlerësimit tim, u anashkaluan nga modeli i privatizimit të pronës shoqërore. Ky proces nuk krijoi mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët dhe ndikoi në strukturën e kapitalit privat që u formua pas pavarësisë. Për pasojë, sipërmarrësit shqiptarë u mbështetën kryesisht te kursimet familjare, puna, aftësitë tregtare dhe nisma individuale.

Kjo ishte një rrugë më e vështirë, sepse bizneset duhej të ndërtoheshin pa një bazë të trashëguar industriale dhe pa infrastrukturën ekonomike që disa ndërmarrje të tjera e kishin nga sistemi i mëparshëm.

Megjithatë, falë sensit dhe aftësive ndërmarrëse, kompanitë shqiptare arritën të zhvillohen dhe sot janë një faktor relevant në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Sipas analizave tona në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, pjesëmarrja e kompanive me pronarë shqiptarë në BPV vlerësohet në mbi 40 për qind.

Në vitet 2018-2019, OEMVP identifikoi 6.354 kompani me pronësi shqiptare, me numër të punësuarish që shkonte nga pesë deri në 1.500 punonjës. Këto të dhëna tregojnë përmasat që ka marrë sipërmarrja shqiptare. Shumë prej kompanive të konsoliduara kanë shënuar ritme dyshifrore të rritjes vjetore, duke dëshmuar një dinamikë të qëndrueshme zhvillimi.

Për mua, ky transformim ka rëndësi të veçantë. Pra, kemi kaluar nga faza e mbijetesës në fazën e konsolidimit dhe zgjerimit.

 

Në cilët sektorë janë më të pranishme këto kompani dhe si ka ndryshuar roli i tyre në ekonominë kombëtare?

Prania më e madhe e bizneseve shqiptare vërehet në ndërtimtari, tregtinë me shumicë dhe pakicë, turizëm dhe, gjithnjë e më shumë, në aktivitete prodhuese. Kjo strukturë nuk është e rastësishme. Ajo lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si u zhvillua tranzicioni ekonomik.

Kompanitë shqiptare u përqendruan kryesisht në sektorët ku mund të hynin përmes investimeve të reja private, pa qenë të varura nga vazhdimësia e ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara. Me kalimin e kohës, shumë prej tyre u transformuan nga biznese të vogla familjare në ndërmarrje moderne, me struktura më të zhvilluara organizative, rrjete të shpërndarjes dhe kapacitete për investime.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është organizimi i tyre institucional. OEMVP u krijua pikërisht për t’i artikuluar interesat e këtij komuniteti biznesi dhe për të siguruar që zëri i tij të dëgjohet në proceset e hartimit të politikave ekonomike. Sot, kompanitë e organizuara në kuadër të Odës përfaqësojnë një segment të rëndësishëm të sektorit privat dhe kontribuojnë në debatet për politikat fiskale, investimet, konkurrencën dhe zhvillimin ekonomik.

Por mendoj se faza e ardhshme duhet të jetë edhe më ambicioze. Bizneset shqiptare duhet të investojnë më shumë në prodhim, teknologji, inovacion dhe zgjerim ndërkombëtar. Ato duhet të ndërtojnë struktura menaxheriale që u mundësojnë të rriten përtej modelit tradicional familjar.

Sot nuk mjafton të jesh kompani e suksesshme në tregun vendas. Duhet të kesh kapacitet të konkurrosh edhe jashtë tij.

 

Transformimi i sipërmarrjeve shqiptare

Prania më e madhe e bizneseve shqiptare vërehet në ndërtimtari, tregtinë me shumicë dhe pakicë, turizëm dhe, gjithnjë e më shumë, në aktivitete prodhuese. Kjo strukturë nuk është e rastësishme. Ajo lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si u zhvillua tranzicioni ekonomik. Kompanitë shqiptare u përqendruan kryesisht në sektorët ku mund të hynin përmes investimeve të reja private, pa qenë të varura nga vazhdimësia e ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara. Me kalimin e kohës, shumë prej tyre u transformuan nga biznese të vogla familjare në ndërmarrje moderne, me struktura më të zhvilluara organizative, rrjete të shpërndarjes dhe kapacitete për investime.

 

Marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë njohur zhvillim, por investimet nuk duket se lëvizin me të njëjtin intensitet në të dy drejtimet. Si e shpjegoni këtë asimetri?

Interesi i kompanive nga Shqipëria për të investuar në Maqedoninë e Veriut mbetet relativisht i ulët, edhe pse vendi ynë ofron një klimë solide për zhvillimin e biznesit.

Nga ana tjetër, kompanitë e Maqedonisë së Veriut kanë treguar interes më të madh për të investuar dhe për ta zgjeruar aktivitetin në Shqipëri. Kjo lidhet me potencialin dhe pozitën tërheqëse të tregut shqiptar, por edhe me mundësitë konkrete që ofron ekonomia e Shqipërisë.

Kemi kompani nga Maqedonia e Veriut që kanë investuar në turizëm, ndërtimtari dhe, në mënyrë të veçantë, në tregti. Në tregun shqiptar tashmë janë të pranishme shumë produkte nga Maqedonia e Veriut.

Megjithatë, nuk vërehet e njëjta prani e produkteve shqiptare në tregun tonë. Një përjashtim i rëndësishëm janë frutat dhe perimet që importohen nga Shqipëria, të cilat kanë gjetur vend në rrjetet tona të furnizimit. Kjo asimetri tregon se ende ekziston hapësirë e konsiderueshme për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe investuese.

Shqipëria ka një treg me potencial, një sektor turistik në zhvillim dhe mundësi për investime në disa fusha. Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, ka traditë në tregti, distribuim, industri dhe shërbime.

Këto avantazhe mund të plotësojnë njëra-tjetrën. Por bashkëpunimi ekonomik nuk zhvillohet vetvetiu, vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, gjuhësore apo kulturore.

Bizneset duhet ta njohin më mirë njëra-tjetrën, të identifikojnë interesat e përbashkëta dhe të krijojnë partneritete konkrete. Për mendimin tim, nuk duhet të kufizohemi vetëm te shkëmbimi i mallrave.

 

Potenciali i bashkëpunimit

Shqipëria ka një treg me potencial, një sektor turistik në zhvillim dhe mundësi për investime në disa fusha. Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, ka traditë në tregti, distribuim, industri dhe shërbime. Këto avantazhe mund të plotësojnë njëra-tjetrën. Por bashkëpunimi ekonomik nuk zhvillohet vetvetiu, vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, gjuhësore apo kulturore. Bizneset duhet ta njohin më mirë njëra-tjetrën, të identifikojnë interesat e përbashkëta dhe të krijojnë partneritete konkrete. Për mendimin tim, nuk duhet të kufizohemi vetëm te shkëmbimi i mallrave.

 

Në cilët sektorë shihni mundësitë më konkrete për investime të përbashkëta dhe a mund të shndërrohet Korridori VIII në një faktor që ndryshon marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve?

Potenciali më i madh mbetet në ndërtimtari, tregti, turizëm dhe prodhim. Këta janë sektorët ku tashmë ekzistojnë kapacitete, përvojë dhe interes nga kompanitë e të dy vendeve. Bashkëpunimi deri tani nuk ka qenë në nivelin që mund të kishte arritur, duke marrë parasysh afërsinë gjeografike dhe mundësitë ekonomike.

Megjithatë, kohët e fundit vërehen lëvizje pozitive drejt intensifikimit të bashkëpunimit, sidomos përmes krijimit të konsorciumeve më të fuqishme, ndërmarrjeve të përbashkëta dhe qasjes së koordinuar në tregjet e treta.

Ky është një zhvillim që e konsideroj shumë të rëndësishëm. Kur kompanitë bashkojnë kapitalin, njohuritë, përvojën dhe rrjetet tregtare, ato mund të realizojnë investime më të mëdha dhe të konkurrojnë në tregje ku veçmas do ta kishin shumë më të vështirë.

Një rol vendimtar në këtë drejtim mund të luajë Korridori VIII. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndodhen përgjatë një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit që synojnë të lidhin Adriatikun me Detin e Zi. Zhvillimi i këtij projekti infrastrukturor mund të krijojë kushte shumë më të mira për lëvizjen e mallrave, kapitalit dhe njerëzve, duke ulur kostot e transportit dhe duke rritur konkurrueshmërinë e bizneseve.

Por infrastruktura duhet parë si instrument zhvillimi ekonomik, jo thjesht si projekt ndërtimor. Nëse korridori përfundon dhe shoqërohet me procedura më efikase kufitare, qendra logjistike dhe investime prodhuese, ai mund të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë zinxhirët e furnizimit në rajon.

Portet e Shqipërisë mund të shërbejnë si pika më të rëndësishme të lidhjes së kompanive nga Maqedonia e Veriut me tregjet ndërkombëtare, ndërsa kapacitetet prodhuese dhe tregtare në Maqedoninë e Veriut mund të kontribuojnë në zhvillimin e rrjeteve të përbashkëta të distribuimit.

 

Ballkani Perëndimor synon të integrohet gradualisht në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian. A janë kompanitë e rajonit të përgatitura për këtë konkurrencë dhe çfarë roli mund të luajë Procesi i Berlinit?

Procesi i Berlinit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zvogëlimin e barrierave dhe në krijimin e kushteve për bashkëpunim më intensiv ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, nuk mund të themi se të gjitha pengesat janë eliminuar. Ende ekzistojnë barriera administrative, procedurale dhe tregtare që e bëjnë më të vështirë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Projekti për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal është një perspektivë shumë e rëndësishme për ekonomitë tona. Arsyeja është e thjeshtë: kompanitë e rajonit duhet të përgatiten për të konkurruar në një treg shumë më të madh, atë të Bashkimit Europian.

Nëse nuk arrijmë të krijojmë një treg funksional ndërmjet vendeve tona, do ta kemi edhe më të vështirë të përballemi me konkurrencën në tregun europian, i cili përfshin rreth 500 milionë konsumatorë. Tregu i Përbashkët Rajonal duhet të shërbejë si një fazë përgatitore, ku kompanitë tona mësojnë të operojnë në një hapësirë ekonomike më të madhe, me standarde të harmonizuara dhe konkurrencë më intensive.

Ky integrim do të krijonte mundësi për zgjerimin e prodhimit, rritjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve. Për kompanitë me kapital shqiptar, që tashmë janë të pranishme në disa ekonomi të rajonit, kjo paraqet një mundësi të rëndësishme për konsolidim dhe zgjerim.

Por duhet të jemi të vetëdijshëm se integrimi ekonomik nuk sjell përfitime automatikisht.

Kompanitë duhet të modernizohen, të investojnë në teknologji, cilësi dhe menaxhim, si dhe të zhvillojnë kapacitete për të konkurruar në tregje më të mëdha. Në këtë proces, bashkëpunimi ndërmjet kompanive është po aq i rëndësishëm sa bashkëpunimi ndërmjet qeverive.

 

Çfarë duhet të bëjnë konkretisht qeveritë në Tiranë dhe Shkup, si dhe dhomat ekonomike, për ta kthyer bashkëpunimin ekonomik nga një objektiv politik në një realitet të prekshëm për bizneset?

Së pari, duhet të kuptojmë se bashkëpunimi ekonomik nuk mund të mbështetet vetëm në deklarata politike dhe marrëveshje formale.

Ai duhet të krijojë rezultate konkrete për kompanitë. Odat ekonomike dhe organizatat e biznesit në të dy vendet duhet të jenë vazhdimisht aktive në identifikimin e mundësive për investime, informimin e kompanive dhe krijimin e lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet sipërmarrësve.

Këtu përfshihen konferencat ekonomike, takimet B2B, tryezat e rrumbullakëta, forumet e investimeve dhe mekanizmat e përhershëm të komunikimit ndërmjet kompanive. Por këto aktivitete duhet të kenë rezultate të matshme. Kjo nënkupton krijimin e partneriteteve, investimeve dhe projekteve të përbashkëta.

Nga ana tjetër, qeveritë në Shkup dhe Tiranë kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krijimin e një mjedisi më të favorshëm ekonomik.

Përveç obligimeve që burojnë nga Procesi i Berlinit, CEFTA, proceset e përafrimit me standardet europiane dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, mendoj se të dy qeveritë duhet të ndërmarrin nisma shtesë për lehtësimin e marrëdhënieve ekonomike. Në radhë të parë, duhet të hiqen barrierat tarifore dhe jotarifore që ende e pengojnë tregtinë e ndërsjellë, në përputhje me detyrimet ekzistuese tregtare.

Duhet të harmonizohen procedurat dhe, aty ku është e mundur, të përafrohen politikat tatimore dhe doganore, në mënyrë që dallimet ndërmjet sistemeve të mos krijojnë pengesa të panevojshme për bizneset.

Po ashtu, nevojitet njohje më e gjerë e dokumentacionit përkatës, certifikatave dhe procedurave administrative, duke respektuar standardet dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Një kompani që eksporton nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri, apo anasjelltas, nuk duhet të përballet me procedura që i rrisin në mënyrë të panevojshme kostot dhe kohën e aktivitetit. Mendoj se duhet të synojmë krijimin e kushteve ku tregjet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, edhe pse juridikisht të ndara, të funksionojnë ekonomikisht si një hapësirë shumë më e integruar.

Kjo do t’u mundësonte kompanive të planifikojnë investime më të mëdha, të shfrytëzojnë ekonomitë e shkallës dhe të krijojnë partneritete më konkurruese.

Natyrisht, një model i tillë do të ishte edhe më i dobishëm nëse zbatohet në nivel të gjithë Ballkanit Perëndimor, siç synon Procesi i Berlinit.

Ne kemi nevojë për një treg ku kapitali, produktet, shërbimet dhe idetë të qarkullojnë me sa më pak pengesa. Ky është një interes i përbashkët ekonomik, përtej dallimeve politike dhe kufijve shtetërorë.

Në fund të fundit, tregjet tona janë relativisht të vogla kur veprojnë të ndara. Duke i integruar, ne krijojmë mundësi për investime më të mëdha, kompani më konkurruese dhe një zhvillim ekonomik më të shpejtë.

 

Mesazhi

Ne kemi nevojë për një treg ku kapitali, produktet, shërbimet dhe idetë të qarkullojnë me sa më pak pengesa. Ky është një interes i përbashkët ekonomik, përtej dallimeve politike dhe kufijve shtetërorë. Në fund të fundit, tregjet tona janë relativisht të vogla kur veprojnë të ndara. Duke i integruar, ne krijojmë mundësi për investime më të mëdha, kompani më konkurruese dhe një zhvillim ekonomik më të shpejtë.

 

 

Kliko këtu për t’u regjistruar falas për të lexuar specialen e plotë për renditjen e kompanive më të mëdha në Ballkan për vitin 2025:

Monitor Special Edition | Ranking the Largest Companies in the Western Balkans in 2025

 

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Një qeveri që kërkon dialog me protestuesit, por refuzon të dëgjojë biznesin

Paketa fiskale e vitit 2027 nuk është thjesht një debat mbi taksat. Ajo është shndërruar në një provë të marrëdhënies së qeverisë me ekonominë, të ...

14 hours më parë 9 Min Lexim

Shqipëria ka mundësi të diversifikojë bazën e eksporteve, deri në 33 mijë vende të reja pune

Intervistë me znj. Angella Faith Montfaucon, Ekonomiste e Lartë e Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, Europën dhe Az...

24 hours më parë 21 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!