Aktori dhe komediani britanik, Russell Brand, po përballet me hetime të reja policore, pasi të paktën tetë gra të tjera kanë ngritur akuza ndaj tij për abuzim seksual dhe sjellje abuzive.

51-vjeçari, i cili më 9 nëntor u dënua me dhjetë vjet e gjashtë muaj burg për përdhunimin e një gruaje dhe sulmet seksuale ndaj tri të tjerave, mund të përballet me një proces të dytë gjyqësor, shkruan DailyMail.


Sipas gazetës britanike, hetuesit po shqyrtojnë dëshmitë e disa grave që kanë paraqitur pretendime të reja pas shpalljes së vendimit gjyqësor.

Autoritetet po përfundojnë gjithashtu shqyrtimin e dosjeve të provave lidhur me akuzat e dy grave të tjera, përfshirë pretendimin se Brand kishte përdhunuar një vajzë 16-vjeçare.

Mes personave që kanë folur publikisht është edhe ish-partnerja e tij, Jordan Martin, e cila në një dokumentar të ri të Netflix ka pretenduar se ishte sulmuar seksualisht nga komediani gjatë marrëdhënies së tyre.


Martin ka rrëfyer gjithashtu sjellje kontrolluese dhe episode të tjera shqetësuese, duke pretenduar se Brand e kishte detyruar të lante dhëmbët deri në gjak.

Ndërkohë, gazeta The Times ka publikuar dëshmitë e gjashtë grave të tjera, të cilat kanë ngritur akuza për sjellje të papërshtatshme dhe marrëdhënie seksuale pa pëlqim.

Edhe gazetarja Bryony Gordon ka rrëfyer përvojën e saj me Brand, duke treguar se pas një takimi me të, kur ishte 25 vjeçe, kishte fajësuar veten për shqetësimin që kishte përjetuar.

“Nuk do të hyj në detajet e pjesës tjetër të natës sime me Brandin. Por ajo që do të them është se kur u largova të nesërmen, çdo shqetësim që pata në lidhje me takimin e fajësova drejtpërdrejt veten”, kishte shkruar ajo.

Hetimet e reja vijnë vetëm pak ditë pas dënimit të Brand, i cili u shpall fajtor për vepra penale seksuale të kryera ndaj katër grave gjatë periudhës 2004–2009.

Pretendimet e reja mbeten objekt hetimi dhe ende nuk janë provuar në gjykatë. /Telegrafi/