“Në pazar me Ramën”, reagon Erion Braçe: Po tani? Hani pazaret e mbusheni gojën plot, siç hani edhe paratë e pisave, disa edhe në PS!
Deputeti socialist Erion Braçe u është përgjigjur thashethemeve që qarkulluan para Asamblesë së PS-së, sipas të cilave kishte një “deal” mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.
Në disa media u raportua se Rama do ta emëronte Braçen ministër të Bujqësisë, në këmbim të heqjes dorë nga kërkesa e tij e vazhdueshme për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës.
Në reagimin e tij, Braçe i cilëson këto lajme si të sponsorizuara nga qarqe të pista, duke mos përjashtuar që pas tyre të qëndrojnë, në disa raste, edhe kolegë të tij socialistë.
Reagimi i plotë i Braçes:
Po tani?! Pesë ditë me radhë; Braçe në pazar me Ramën: Merr bujqësinë, meqë e ke merak, dhe ik nga Bashkia e Tiranës!
Pesë ditë rresht në çdo portal e media online; Shpërndarë pa fund kudo, shoqëruar me linçim online. Madje dje, një që po e quaj media, shkruante; Qeni që leh nuk të ha, sidomos kur e bën ministër!
Po turp a ke?! Apo ç’të duhet, më mirë kështu!
Dëgjoni, një gjë dua ta ndaj me cilindo që më ndjek e më ka votuar drejtpërdrejt 30 vite me radhë;
Ato 25 mijë votat në qarkun e Tiranës e diasporë, 19.300 votat në Bashkinë e Tiranës, mijëra vota të mbledhura në zgjedhje të drejtpërdrejta në 30 vite, s’i kam këmbyer kurrë në pazar personal!
Nuk kanë qenë, nuk janë, nuk do të jenë kurrë nevojat e mia karriget!
Gjithë jetën ia kam kushtuar punës, pooo puna është nevojë e imja, atë dua, punën!
Tani;
Hani pazaret e mbusheni gojën plot, siç hani edhe paratë e pisave – disa edhe në PS!




