Nga Mentor Kikia
Pas mbledhjes së Asamblesë, Blendi Klosi, sekretari i përgjithshëm, u pyet nja shtatë herë nga gazetarët: A u përjashtuan Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca?
Klosi nuk iu përgjigj pyetjes me qëndresë “heroike”:
“Është punë e jona e brendshme kjo, nuk ka pse t’i interesojë publikut”.
Më pas, nën zë, tha se Elisa vazhdonte të ishte anëtare e PS-së.
Por në mbrëmje bëri një sqarim, me pretendimin se mediat e kishin keqkuptuar qëllimisht.
“Elisa dhe Plarenti nuk mund të jenë pjesë e asnjë forumi të PS-së. Dhe nuk kishte nevojë as për votim në Asamble, sepse dy-tre anëtarë që ishin kundër, i shprehën rezervat e tyre. Të tjerët nuk kishin rezerva”(se përse nuk ua deklaroi mediave këtë, nuk dihet).
Dhe reagimi i 2-3 kolegëve, sipas Klosit, konsiderohet edhe si votim.
Në fakt, kur e propozon kryetari, çfarë nevoje ka për votim?
Pra, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca, njëra si rebele dhe tjetri si bashkëpunëtor i Erion Veliajt, janë përjashtuar nga forumet drejtuese të PS-së. Por, meqë anëtar partie bëhesh thjesht me një aplikim online, ata vazhdojnë të jenë anëtarë të thjeshtë, derisa nuk e kanë tërhequr anëtarësinë.
Asnjë habi deri këtu. Por e “bukura” ishte se edhe ata që ishin “kundër”, propozuan që të merreshin masa më të buta, pra jo përjashtim.
Pyetja është: Përse duheshin marrë këto masa, qoftë edhe më të buta?
Pse mendon ndryshe nga kryetari?
Pse kërkon që edhe në nivelet e larta të zbatohen e respektohen normat dhe rregulloret?
Pse mendon që kryetari duhet të votëbesohet?
E tmerrshme! Po kjo është gjëja më normale në një demokraci. Eshtë A-ja e demokracisë!
Dhe ne që presim demokraci në bulevard.
Asambleja e sotme dukej fiks si një funeral. Të gjithë po përcillnin njëri-tjetrin dhe të gjithë po ngushëllonin njëri-tjetrin.
Në pritje të radhës…..












