Autoritetet italiane kanë gjobitur gjigantin e rrjeteve sociale Meta me 805 milionë euro (670 milionë funte; 887 milionë dollarë), për qasjen në fotografitë e përdoruesve të Android pa pëlqimin e tyre të shprehur.
Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave ka bërë të ditur se Meta nuk i kishte informuar siç duhet rreth 20 milionë përdorues të telefonave inteligjentë se kishte qasje në fotografitë dhe videot e tyre përmes një funksioni të aplikacionit Facebook, raporton BBC.
Autoriteti i ka dhënë Metës 60 ditë afat për ta çaktivizuar këtë funksion si parazgjedhje dhe për të kërkuar veçmas pëlqimin e përdoruesve.
Kjo është njëra ndër gjobat më të mëdha që një autoritet italian i ka shqiptuar ndonjëherë ndaj një gjiganti të teknologjisë.
Gjobitja lidhet me një funksion që sugjeron fotografi dhe video nga galeria e telefonit të përdoruesit si ide për publikime.
Facebook kërkonte qasje në galeritë e fotografive të përdoruesve përmes një autorizimi të vetëm për të gjithë aplikacionin. Sipas rregullatorit italian, një njoftim paraprak nuk e bënte të qartë se kjo do t’i mundësonte Facebook-ut të krijonte gjithashtu sugjerime bazuar në fotografitë e ruajtura në galerinë e tyre.
Autoriteti tha se gjatë përcaktimit të gjobës mori parasysh “numrin e madh të personave të prekur” dhe faktin se kjo praktikë “vazhdon ende për ata që nuk e kanë përditësuar aplikacionin, si dhe për ata që tashmë kanë dhënë pëlqimin për këtë sistem”.
Gjithashtu, si faktor u përmend edhe “mungesa e bashkëpunimit nga ana e Metës”.
BBC ka kontaktuar Metën për të marrë një koment lidhur me këtë çështje.
Muajin e kaluar, Meta, kompania që zotëron gjithashtu Instagramin dhe WhatsApp-in, u përball me gjobën më të madhe të shqiptuar ndonjëherë ndaj saj për praktikat e biznesit.
Një gjykatës në shtetin e Nju Meksikos, në SHBA, urdhëroi kompaninë të paguajë 25 miliardë dollarë (18.6 miliardë funte), pasi konstatoi se ajo kishte mashtruar për vite me radhë publikun lidhur me mënyrën se si i trajtonte të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut.
Italia gjobit Metën me 805 milionë euro për qasjen në fotografitë e përdoruesve
Read more