Sport

Maran i qetë për mungesat dhe Muçin: Të tjerët do të kenë mundësinë të tregojnë veten ndaj Bjellorusisë!

Një ditë përpara përballjes vendimtare me Bjellorusinë, trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, ka dalë në konferencën për shtyp në Budapest, ku ka ndarë pritshmëritë e tij për këtë sfidë.

Kuqezinjtë kanë në duart e tyre mundësinë për të konfirmuar vendin e parë në grup dhe për të mbyllur në mënyrën më të mirë këtë fazë të Ligës së Kombeve. Për teknikun italian, kjo është një ndeshje me shumë rëndësi, ku përtej rezultatit, Shqipëria synon të tregojë edhe një herë forcën dhe vazhdimësinë e saj. Maran ka komentuar kundërshtarin, gjendjen e lojtarëve dhe pritshmëritë për takimin që do të zhvillohet në Hungari.

Mungesa e Ramadanit: Nuk jam i shqetësuar për mungesën e Ramadanit. Nesër do të ketë mundësi dhe shanse për lojtarë të tjerë që të jenë gati dhe të tregojnë vlerat e tyre.

LEXO EDHE: Një pikë që nuk mjafton për dardanët, Kosova ndalet nga Izraeli dhe tani luan gjithçka për gjithçka në Dublin!

Muçi: Nesër do të shohim gjendjen e Muçit. Ai nuk është stërvitur sot dhe do të bëjmë një vlerësim përfundimtar për të vendosur nëse do të jetë i gatshëm.

Kundërshtari: Ky kundërshtar na ka vendosur në vështirësi më shumë se të gjithë të tjerët në këtë grup. Ata kanë humbur vetëm ndaj nesh dhe kjo tregon se do të jetë një ndeshje e vështirë. Megjithatë, ne jemi gati dhe të vendosur. Kemi identitetin tonë dhe lojtarët janë gati të japin gjithçka për të marrë rezultatin që na nevojitet.

Llogaritë në grup: Nuk kemi bërë asnjë llogari. Ne hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin dhe nuk duhet të mendojmë për asgjë tjetër që lidhet me llogaritë e grupit. Objektivi ynë është të bëjmë ndeshjen tonë dhe të marrim rezultatin që dëshirojmë.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.